Dalin detaje të reja nga seanca e zhvilluar ditën e sotme për dhënien e masës së sigurisë ndaj ish-ministrit Tahiri. Avokati i Tahiri ka kërkuar që ta lënë të lirë ish-ministrin pasi nuk ka prova që vërtetojnë se klienti i tij është përfshirë në trafik droge.
Nga ana tjetër Tahiri është shfaqur ironik në sallën e gjyqit duke u shprehur se për të nuk ka ndryshim nëse ëhstë në burg apo në shtëpi. Po ashtu ai ka replikuar më gjyqtarët duke u thënë se të gjitha grupet kriminale në vend duhet t’ia faturojnë atij meqë qenka kaq i rrezikshëm.
Po ashtu, ish-ministri i ka akuzuar prokurorët se kanë abuzuar me faktet, duke shkruar gënjeshtra. Prokurorët kanë kërkuar që Tahiri të mos lirohet pasi dyshojnë që mund të intimidojë dëshmitarët e çështjes, duke përmendur këtu një takim të ministrit me Orgest Liperin, pronarin e skafit me të cilin ka udhëtuar drejt Greqisë.
Prokurori tha se Tahiri e ka takuar për ta intimiduar, duke treguar madje se ata kishin përgjuar takimin mes të dyve. Ata po ashtu ngulën këmbë se edhe ish-ministrja e Brendshëm Elona Gjebrea nuk ka thënë të vërtetën. Por ministri nga ana e tij është shprehur se Liperin e ka takuar për t’i kërkuar ndjesë që u përfshi në të gjithë këtë histori.
“Nuk kam pasur qëllim ta intimidoj, i kam kërkuar falje që e përfshiva në këtë mesele. Bëra detyrën time qytetare. Nuk kisha mundësi të ndikoja tek qytetari. Takimi me të pak ditë pasi kishte dhënë dëshminë e tij, por thjesht i kërkova ndjesë”, – mësohet të ketë thënë në gjyq ish-ministri.


