Të gjitha objektet, të cilat kanë mbi 50 vjet që janë ndërtuar do t’i nënshtrohen procesit të auditimit teknik.
Qeveria ka hartuar një pr/ligj i cili parashikon kryerjen e auditimit teknik të punimeve, në të gjitha objektet të cilat kanë mbi 50 vjet që janë ndërtuar.
Ky projektligj iniciohet në kuadër të situatës emergjente të krijuar nga dëmtimet që ka shkaktuar tërmeti i fuqishëm i datës 21 shtator 2019 në disa qytete të vendit, kohës së pamjaftueshme për rregullimet ligjore sipas procesit legjislativ dhe nevojës së menjëhershme për ndërtimin e riparimin e ndërtesave të dëmtuara.
Pr/ligji përcakton verifikimin në mënyrë periodike nga Instituti i Ndërtimit, nëpërmjet kryerjes së auditimeve teknike të punimeve të ndërtimit, në objektet të cilat kanë mbi 50 vjet që janë ndërtuar, për plotësimin e kërkesave minimale të rezistencës, qëndrueshmërisë mekanike dhe sigurisë në përdorim, propozimin e masave përkatëse në rast të mosplotësimit të kërkesave minimale të punimeve të ndërtimit, me qëllim garantimin e sigurisë së tyre si dhe miratimin i rregullave të detajuara të auditimit teknik me vendim të Këshillit të Ministrave.
Po ashtu përcaktohet kryerja e oponencës teknike nga institutet shtetërore ose ente të tjera, të përcaktuara nga ministria që mbulon veprimtarinë e ndërtimeve për të gjitha ndërtimet publike, ndërtimet jopublike, me vlerë të preventuar së paku 100 milionë lekë dhe objektet me akses publik.