Zhvillimi i agroturizmit në vendin tonë është padyshim në nga prioritete e qeverisë shqiptare e cila nëpërmjet programit “100 fshatrat” po i jep zhvillim këtij sektori.
Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Artan Shkreli gjatë takimit me studentë dhe pedagogë të akademisë së “100 fshatrave” theksoi se ky rast është unikal përsa i përket zhvillimit të këtyre fshatrave, ku një pjesë të mirë të detyrës e kanë dhe të rinjtë.
Ky është një rast unik të cilit u jepet secilit prej jush për të qenë pjesë e një ndryshimi radikal që pritet të ndodhë në Shqipëri, duke zhvilluar vendin në 100 pika të cilat do të shërbejnë si një “gjenerator” edhe për zonat e tjera përreth.
Janë përzgjedhur pikërisht ato fshatra të cilat kanë një traditë të caktuar, qoftë traditë arkitekturore, qoftë traditë kulturore të cilat natyrisht shkojnë bashkë, qoftë edhe përsa i përket aspekteve të tjera që kanë të bëjnë me aspektet shoqërore dhe historinë e këtyre fshatrave.
Faza e parë, që është dhe faza e kërkimit është themelore, është bazamenti i punës që do të bëhet edhe nga ju. Duhet të kemi parasysh se Shqipëria ka një diversitet të jashtëzakonshëm. Çdo komunitet ka krijuar një kulturë të vetën e cila ndryshon edhe përtej malit.
Nëqoftëse do të themi se në Francë komunitete të ndryshme kanë pellgun e tyre kulturor prej disa qindrash km katrorë, mund të ndodhë që në Shqipëri, 4 fshatra mund të ndryshojnë përsa i përket, zakoneve, traditës ndërtimore etj. Kjo është një pasuri shumë e madhe e cila vihet në shërbimin tuaj me qëllim zhvillimin e këtyre fshatrave për të qenë baza e agroturizmit, por qoftë shqiptarët dhe të huajt të gjejnë diçka origjinale tek ato. Këtu është pikërisht edhe sfida e kësaj gjëje– theksoi Shkreli.
Për të theksuar suksesin e programit të “100 fshatrave” dhe zhvillimin që ky program të jep, zv.ministri solli për të pranishmit shembullin e Portugalisë e cila kishte ndërmarrë të njëjtën metodë të suksesshme shume vite më parë.
“Një gjë të ngjashme e ka bërë dhe Portugalia e cila ka qenë një nga vendet e prapambetura të BE-së, e cila në vitet 90 pati një program të ngjashëm, ku qeveria portugeze akordoi një fond prej 900 mln euro për 100 fshatra. U bënë ndërhyrje të forta infrastrukturore në zonat bregdetare të Portugalisë dhe brenda 1 dekade u katërfishuan fitimet”.


