Pasuritë kulturore në të gjithë Shqipërinë vëzhgohen dhe mirëmbahen në mënyrë sistematike nga specialistët e Drejtorive Rajonale të Kulturës Kombëtare. DRKK Durrës është kujdesur për riparimin e shkallëve prej druri në Amfiteatrin e Durrësit, i ndërtuar në fund të shek. I pas Krishtit dhe të zbuluar në vitin 1966 nga arkeologu i njohur Vangjel Toçi.
Amfiteatri romak i Durrësit, i ndërtuar në fillim të shek. II e.s., është një nga amfiteatrot më të mëdhenj të Gadishullit të Ballkanit.
Në ditët e sotme, Amfiteatri mirëpret turistë të shumtë, si dhe evente të ndryshme artistike përgjatë gjithë vitit.
DRKK Durrës bën të ditur se “kujdesi, mirëmbajtja dhe promovimi i trashëgimisë sonë kulturore është një mision i përbashkët për t’i përçuar këto pasuri në mënyrën e duhur, tek brezat e ardhshëm”.
Amfiteatri i Durrësit ka arkitekturë romake dhe është ndërtuar në fund të shek. I pas Krishtit, në periudhën e perandorit Trajan. Ai është shfrytëzuar për dyluftimet e gladiatorëve dhe të kafshëve të egra për afro 2 shekuj.
Në shek. V pas Krishtit u ndaluan ndeshjet e gladiatorëve dhe amfiteatri nisi të braktisej. Në mjediset e tij u ndërtuan një kapelë (kishëz) bizantine. Në muret e kapelës ndodhen disa afreske dhe mozaikë.
Boshti i madh i amfiteatrit është 127 metra, ndërsa boshti i vogël 103 metra. Përmasat e arenës me formë ovale janë përkatësisht 63 dhe 39 metra. Deri tani është zbuluar rreth gjysma e amfiteatrit, me pjesën perëndimore dhe veriore të shkallareve, si dhe një pjesë e galerive.