Askush nuk e priste, aq më pak nga ajo. Prej vitesh tashmë mediat shqiptare janë mësuar me një steriotip. Atë të Edi Ramës në aleancë me oligarkët dhe të PD që këtë temë e ka tabu. Sepse as opozita nuk guxon të flasë për ata që e kanë financuar dje dhe që mund ta financojnë nesër.
I gjithë ky paragjykim simbolizohej edhe nga disa pamje filmike të parlamentit, të shndërruara nga më të parat e rrjetit, kur Edi Rama i drejtohej Lulzim Bashës duke i përmendur emrat e klientëve të tij dhe ky i fundit ulte kokën pa bzajtur asnjë fjalë.
Kjo ulje koke qe stampa e PD dhe e burrave me namuz të saj.
Për ta thyer këtë u desh një grua. Pikërisht ajo që nuk pritej, Jorida Tabaku. Ajo u bë e para që hartoi një listë publike me klientët e Ramës, e që për më tepër i vulosi si oligarkë.
Çudia qe e dyfishtë.
Së pari sepse shumëkush është mësuar ta shikojë Joridën si një femër fraxhile, larg atyre që ngrenë zërin në sallën e kuvendit dhe aq më pak me profilin e një Zhan D’Arke që po përgatit revolucionin e nesërm.
Imazhi i saj për shumëkënd është krejt i kundërt.
Kohet e fundit shtypi rozë e ka shpallur si një nga ikonat e stilit në parlament. Një portal aspak miqësor me të djathtët, “Tirana Post”, e cilësonte si një nga gratë më elegante të parlamentit, e cila “kujdeset shumë për pamjen e saj të jashtme, flokët, make-upin dhe veshjen”.