• Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
AlpeNews
  • 9 August, 2026
AlpeNews

Tirana, Albania

9 August, 2026
  • Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
  • Follow
    • Facebook
    • Twitter
    • Youtube
    • Instagram
  • No categories
PRITJA E AFGANËVE/ Rama merr çmimin prestigjioz në New York: Për ata që refuzuan…
Home
Politikë

PRITJA E AFGANËVE/ Rama merr çmimin prestigjioz në New York: Për ata që refuzuan…

2 June, 2022 s.autor Politikë

Kryeministri Edi Rama është vlerësuar me çmimin prestigjioz “Joan Ganz Cooney Global Leadership Aëard” në darkën vjetore të Sesame Ëorkshop për pritjen që vendi ynë i bëri shtetasve afganë të ikur nga vendi i tyre për shkak të dhunës së talebanëve.

Gjatë mesazhit të tij, pas marrjes së çmimit, Rama tha se ajo çfarë ndjeu përballë kaq shumë hezitimi dhe kaq shumë refuzimesh që vinin nga vende mjaft më të pasura për t’iu hapur dyert afganëve ka vetëm një emër: “Turp”.

Ai theksoi se përgjigjen e dyerve të hapura për afganët e gjejmë në historinë tonë, që është një histori mikpritjeje, një histori respekti karshi njerëzve në nevojë, një histori e mishëruar në kushtetutën tonë të parë, kodin e shqiptarëve, ku shkruhet: “Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”.

FJALA E KRYEMINISTRIT RAMA

Jam shumë, shumë mirënjohës, por jam edhe tejet i keqardhur, që më duhet të përsëris diçka që e kam thënë shumë herë, sa në pozitë ndihem. Mos më keqkuptoni, është një nder, nder i madh e, gjithashtu, një kënaqësi e madhe që gjendem sot këtu, po nuk arrij dot ende të bëj paqe me faktin që ajo çka duhej të ishte rregulli, është përjashtim.

Më duhet t’ju them, duke qenë se jemi këtu pas dyerve të mbyllura e nuk na dëgjon kurrkush, se ajo çfarë ndjeva përballë kaq shumë hezitimi dhe kaq shumë refuzimesh që vinin nga vende mjaft më të pasura për t’iu hapur dyert afganëve ka vetëm një emër: “Turp”.

Shumë njerëz më kanë pyetur: “Pse? Pse do ta bënte Shqipëria këtë? Pse do e merrja unë këtë vendim?” Ndoshta, edhe në këtë sallë ka njerëz që pyesin veten “pse”, si ndodhi që një prej vendeve më të varfra të Europës ishte një ndër vendet e para që u hapi dyert njerëzve, që përpëliteshin mes jetës e vdekjes.

Përgjigjen e kësaj pyetjeje e gjejmë në historinë tonë, që është një histori mikpritjeje, një histori respekti karshi njerëzve në nevojë, një histori e mishëruar në kushtetutën tonë të parë, kodin e shqiptarëve, ku shkruhet: “Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”. Me “mik” nuk nënkuptohej thjesht ai që ftohej, por ai që të trokiste derë, se gjendej në nevojë. Në bazë të këtij kodi, trokitja në derë është vullneti i Zotit dhe ti duhet ta hapësh. Kujtdo që i bie asaj dere i duhet dhënë strehë, kujdes dhe mbrojtje.

Ndoshta këtu e ka zanafillën arsyeja se pse Shqipëria ishte i vetmi vend në Europë që pati më shumë hebrenj pas luftës sesa para saj; vendi ku asnjë hebre, as edhe një i vetëm, nuk iu dorëzua nazistëve. Në ato kohëra aq tragjike, kur hebrenjtë braktisnin shtëpitë e tyre kudo në Europë, Shqipëria u bë vendi tek i cili hebrenjtë vinin, nuk iknin; vinin për t’u mbrojtur.

Ka një histori, mes shumë të tjerash, që dua ndaj me ju, për katër udhëheqësit fetarë të vendit tonë, që shpesh thuhet se është vend mysliman, por jo. Ne jemi një vend ku myslimanët dhe të krishterët bashkëjetojnë me respekt të plotë për njëri-tjetrin. Këta katër udhëheqës, të cilët u thirrën në Berlin nga njeriu që ishte në krye të operacionit “Zgjidhja përfundimtare”, përfaqësonin katër bashkësitë fetare të Shqipërisë, të krishterët katolikë, të krishterët ortodoksë, myslimanët sunitë dhe bektashinjtë, myslimanët shqiptarë. Atyre iu kërkua të nënshkruanin një marrëveshje me Rajhun e Tretë, që kishte dy pika: të lejonin regjimin nazist të merrte floririn shqiptar, që asokohe gjendej në bankën e Romës dhe të bashkëpunonin me regjimin nazist për të kapur hebrenjtë. Ata dhanë firmën për floririn, por nuk e dhanë për hebrenjtë.

E kështu historia vazhdon, për të ardhur te ne, kur ishim refugjatët që linim vendin, duke marrë arratinë jo nga një regjim fetar fondamentalist si ai i talebanëve, por nga një regjim ateist, që pati kurajë ta shkruante në kushtetutën tonë se Republika e Shqipërisë është republikë ateiste, ku besimet fetare ishin tërësisht të ndaluara, ku jeta ishte një ferr dhe vendi, asokohe, ishte Koreja e Veriut e Europës. Kështu, e lamë vendin, për të gjetur strehë diku tjetër, tridhjetë vjet më parë dhe kur Afganëve iu desh të linin vendin për të gjetur strehë e për t’i shpëtuar vdekjes, si mund të thoshim “jo”! Si mund të mos ua hapnim derën dhe si mund të pyesnim për ngjyrën e lëkurës, për fenë në cilën besonin apo sa afër a larg ishin nga Shqipëria?!

Jo, nuk mundeshim! Thjesht, thamë “po”. Për aq kohë sa kemi një shtëpi, ajo shtëpi i përket gjithkujt që gjendet në nevojë dhe ne u vijmë në ndihmë e do t’u vijmë përherë në ndihmë, jo me fjalë, por me vepra. Pra, e bëmë për nder të traditës sonë, e bëmë në nderim të historisë sonë personale si refugjatë, por e bëmë po ashtu në nder të fëmijëve tanë dhe fëmijëve të fëmijëve tanë, pasi, në fund të fundit, e vetmja pasuri që kemi dhe u detyrohemi fëmijëve tanë është kujtesa.

Unë shpresoj fort që, një ditë, Shqipëria të jetë vend i pasur, por lutem kaherë që të mos renditemi mes vendeve më të pasura që kanë humbur kujtesën. Duhet ta ruajmë kujtesën.

Falë Zotit, ka shumë, kaq shumë njerëz në këtë vend, njerëz vullnetmirë, që ngrihen për atë çka është kaq e vlerë e nuk mund të shpërfillet në emër të asnjë zgjedhjeje, në emër të asnjë pushteti, në emër të asnjë interesi të caktuar dhe që është humanizmi. Jam shumë krenar, shumë i nderuar dhe ndihem shumë i përulur që gjendem sonte mes jush e që e kam renditur veten e vendin tim krah jush e krah shumë njerëzve që kanë nderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe që nderon me vepra, jo me fjalë, atë çka Shtetet e Bashkuara përfaqësojnë për këdo.

Njerëzit, ashtu siç na tha edhe Nazarini, janë tri herë më të prirë e më të gatshëm t’u hapin dyert refugjatëve sesa qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në fund, dua t’ju them se jam këtu, sepse Shqipëria, që prej ditës së sotme dhe duke nisur nga nesër, do të jetë vendi që do të mbajë kryesimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Është hera e parë në historinë tonë që ulemi në atë Këshill dhe do të ishim shumë krenarë e shumë mirënjohës, nëse Sesame bashkë me Ëelcome US do të pranonin ftesën tonë për të ardhur më 6 qershor në Këshillin e Sigurimit, për t’i folur Këshillit dhe mbarë botës për fëmijët e Ukrainës dhe të gjithë fëmijët e njerëzve, familjeve anekënd botës, që po vuajnë kaq shumë duke lënë shtëpitë, duke u zhvendosur.

Sherrie tha se ishin 100 milionë. Janë shumë! Ajo çfarë bëmë shpëtoi disa mijëra.

Dua ta përmbyll duke nderuar një shqiptare të madhe, Nënë Terezën e Kalkutës, Shën Terezën e Shqipërisë, e cila ka thënë: “Në vend që të mallkosh errësirën, ndiz një qiri”. Ne i ndezëm qirinjtë tanë dhe do të vazhdojmë kështu.

Ju falënderoj shumë, shumë, për diçka për të cilën dua të tregohem shumë modest e modestia nuk është pika ime e fortë, por dua të tregohem modest, sepse kjo është e vërteta. Nuk ishte merita ime, sepse thjesht ndodhi që unë të isha kryeministri, është merita e shqiptarëve, që e mbështetën plotësisht vendimin dhe kur u pyetën sesi ndiheshin për këtë vendim, një shumicë tejet më e madhe sesa ajo që mbështet qeverinë tha: “Patjetër. E kemi kaluar vetë. E dimë si ndihesh dhe e kemi për nder t’u hapim dyert atyre që, sot, janë shqiptarët e 30 viteve më parë”.

Ju faleminderit.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article UNAZA LINDORE/ ARRSH: Me ritme të shpejta puna në Lotin 2, brenda ditës do të hapet trafiku
Previous article JOHNNY DEPP FITOI GJYQIN KUNDËR SAJ/ Reagon për herë të parë Amber Heard: Zhgënjimi që ndjej sot...

s.autor

Postime të ngjashme

E KONFIRMUAR/ Ambasada e SHBA reagon pas emërimit të Eric Wendt si ambasador në Shqipëri: Do të mbështesë vizionin e Trump për... Breaking News

E KONFIRMUAR/ Ambasada e SHBA reagon pas emërimit të Eric Wendt si ambasador në Shqipëri: Do të mbështesë vizionin e Trump për...

PUNIMET NË AKSIN ELBASAN-QAFË THANË/ Rama: Do ta bëjë lidhjen e Korçës dhe juglindjes me pjesën tjetër të vendit, më të shpejtë Politikë

PUNIMET NË AKSIN ELBASAN-QAFË THANË/ Rama: Do ta bëjë lidhjen e Korçës dhe juglindjes me pjesën tjetër të vendit, më të shpejtë

RAMA MBLEDH QEVERINË NË POGRADEC/ Ministrat raportojnë më 24 dhe 25 gusht, pritet edhe mbledhja e Asamblesë që mund të ndryshojë kabinetin Breaking News

RAMA MBLEDH QEVERINË NË POGRADEC/ Ministrat raportojnë më 24 dhe 25 gusht, pritet edhe mbledhja e Asamblesë që mund të ndryshojë kabinetin

Facebook Comments

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

  • Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të Drejtat e Rezervuara
KONTAKT