Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi shprehet se kryeministri Rama sa herë është keq bën ftesa për tryezë me opozitën.
Në emisionin “Real Story”, Kryemadhi tha se s’ka më kohë që Rama e Basha të takohen në tavolinë por do të takohen në kutinë e votimit.
“Zoti Rama sa herë është keq bën ftesa për tryezë. Këshilli Politik për Reformën s’ka nevojë as për Ramën e as për Bashën. Janë përfaqësuesit atje. Pikat e tjera të marrëveshjes që lidhen me shit-blerjen e votës etj, do të vazhdojnë të diskutohen.
Sot nuk ke më kohë për tu ulur me zotin Rama në tavolinë sepse edhe zoti Basha e ka bërë të qartë. Tashmë ata të dy takohen në kutinë e votimit dhe s’kanë pse takohen në tavolinë. Sjellja fyese e Ramës ka prerë çdo urë komunikimi”, tha Kryemadhi.
Më tej, duke ju referuar disa veprimeve drastike të opozitës siç ishte djegia e mandateve, kryetarja e LSI tha “Sjellja e opozitës ka pasur kosto personale për drejtuesit e saj por thyeu disa tabu. Vendimet tona që mund të quhen si arbitrare, sot tregojnë se kemi pasur të drejtë.”


