Presidenti Ilir Meta ka mbërritur në Kuvend për t’u përballur me komisionin hetimor parlamentar të ngritur për hetimin e tij. Meta ka ecur në këmbë nga presidenca drejt parlamentit dhe do të jetë i shoqëruar nga dy këshilltarët e tij Tedi Blushi dhe Bahri Shaqiri. Ndërkohë që para tij kanë dalë nga presidenca edhe dy këshilltarë të tjerë të kreut të shtetit me dosje në duar.
Kjo është hera e parë në historinë e politikës shqiptare, që një president përballet me një komisionin hetimor që kërkon shkarkimin e tij.
Komisioni hetimor për kreun e shtetit është ngritur për të hetuar nëse ai ka shkelur kushtetutën duke anuluar zgjedhjet e 30 qershorit.Kreu i shtetit anuloi zgjedhjet me argumentin e situatës politike dhe bojkotit të opozitës, por KQZ dhe Kolegji Zgjedhor rrëzuan kreun e shtetit dhe shumica zhvilloi zgjedhjet, të cilat Meta dhe opozita nuk i njohin.
“Duke qenë se e kemi korumin e nevojshëm e deklaroj të hapur mbledhjen e sotme. Në rendin e ditës kemi miratimin e procesverbalit të mbledhjes si dhe dhënien e dëshmisë së presidentit. Miratohet procesverbali i mbledhjes. Të nderuar anëtarë të komisionit, përpara se të vijojmë me procedurat e dhënies së dëshmisë së presidentit ndajmë rolin e këtij komisioni. qëllimi i punës së këtij komisioni është i gjerë dhe ndjek përmes debatit dhe shkëmbimit të pikëpamjeve është të zbërthejë rolin e kreut të shtetit. Komisioni duhet të shohë përtej rastit konkret. Respektimi i parimeve vihet shpesh herë në provë duke u mbështetur në parime. E vetmja mënyrë që debatet politike të kenë aq vend sa duhet është sistemi që kemi zgjedhur duke hequr dorë nga vendimet e çastit. Kushtetuta nuk përcakton detaje për ushtrimin e kompetencave por janë udhëheqësit e shtetit që i nxisin. Sot presidenti dëshmon si presoni ndaj të cilit ka nisur një procedurë për shkarkim. Kjo mbledhje do të incizohet për t’u zbardhur autentikisht”, u shpreh Manja.






