Pas mbërritjes në Shqipëri, presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, foli për arritjen fantastike të Romela Begajt në Botërorin e Peshëngritjes. Gjithashtu, ai u shpreh edhe për skandalin me flamurin shqiptar, i cili nuk ishte aspak si ai zyrtari.
Nuk e kishit llogaritur Romelën për medalje?!
“Edhe Romelën e kishim llogaritur si kandidate për medalje, krahas peshëngritësve të tjerë meshkuj. Kam biseduar vazhdimisht me trajnerin e saj, dhe performanca e Romelës ka qenë shumë e mirë edhe në stërvitje. Diamanti shqiptar, për të gjithë sportin këtu, quhet Romela Begaj.”
Çfarë mund të thoni për skandalin me flamurin?
“Përsa i përket flamurit, kemi qenë më parë në sallë teksa dëgjuam himnin me organizatorët, dhe gjithçka ishte perfekt. Pyetëm vendin organizator, nëse i duhej flamuri ynë, por na thanë se e kishin, dhe nuk i duhej asgjë. Vendi organizator mban përgjegjësi për atë flamur. Ne u befasuam, sepse kishim me vete flamujt tanë, por vendi organizator na tha se nuk i nevojitet.
Do e presë qeveria Romela Begajn?
“Qeveria ka qenë e mbledhur sot në Shkodër, dhe i vjen keq që nuk e ka pritur dot Romelën sot. Presim përgjigjet e analizave anti-doping, dhe jam i sigurt që shteti do ta përgëzojë këtë peshëngritëse. Jemi federata e vetme që mund të sjellim medalje në Shqipëri.


