Një shqiptar, i shpallur në kërkim prej 17 vitesh është arrestuar nga policia italiane. Mësohet se në pranga ka rënë një 52-vjeçar, i cili rezulton i dënuar me 10 vjet, 6 muaj e 28 ditë dhe 58 mijë euro gjobë.
Ai ishte dënuar gjatë viteve 2003-2008, në lidhje me disa akuza për trafik droge në zonën e Xhenovas. Megjithatë, ai ishte zhdukur në vitin 2008, duke iu shmangur burgimit për plot 17 vite. Ai u ndalua vetëm sot pasi u gjet në një apartament në Milano dhe u dërgua në paraburgim, nga ku pritet të transferohet drejt burgut.
Gjatë hetimeve të kryera nga policia, rezultoi se i kërkuari kishte arritur të ndryshonte pjesërisht të dhënat personale në Shqipëri. Falë kësaj manovre ai jo vetëm që kishte arritur të kthehej disa herë në Itali, por kishte hapur edhe disa biznese tregtare.


