Në mbledhjen e fundit të Asamblesë së PS-së, Kryeministri Edi Rama kishte shumë frymë në gjoks kur tha: “Unë dua t’i bëj një thirrje Partisë Demokratike dhe kryetarit të Partisë Demokratike”. Solemniteti i pozës dhe tonit paralajmëronte një thirrje të pagjasë. Por si të ishte penduar apo si të kishte marrë vrull kot, zoti Rama u shfry me disa fraza libreske të përgjithshme të tipit “opozita është përfaqësuese e një pjesë të popullit”, “opozita duhet të përfaqësoje me dinjitet ambicien e atyre që kanë votuar për të çelur negocitatat për anëtarësim”, e tjerë.
Gjithsesi, edhe pse duke i rënë larg, u kuptua se kryeministrit po i kërkonte opzitës të bënte të vetën për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE, një vendim që Brukseli pritet ta marrë këtë vit për vendin tonë. Është normale, për të mos thënë e detyrueshme që kryeministri i vendit të bashkëpunojë me opozitën dhe me gjithë faktorët institucionalë e shoqërorë për një ngjarje kaq të rëndësishme në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Që t’i peshojë fjala, që të jetë i besueshëm dhe efektiv në këtë përçapje mendoj se kryeministri duhet të plotësojë minimalisht tre parakushte:
Në fillim, para se t’ua hedhë topin të tjerëve, duhet të flasë për detyrat e veta dhe të qeverisë që drejton. Kanë detyra të gjithë, por qeveria ka më shumë. Ajo e ka këmborën. Shumica e shqiptarëve të interesuar e dinë se Shqipëria duhet të përbushë pesë prioritete për të përfituar hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. Këto prioritete i ka caktuar prej tre vjetësh i zoti i punës, BE-ja. Katër prej tyre- dhe këtu po përmend dy ndër më kryesoret, reformimin e admnistratës publike dhe luftën kundër korrupsionit e krimit – janë detyra ekskluzive të qeverisë. Në asamblenë e PS-së të ditës së shtunë, meqenëse u muar jo pak me temën e negociatave, zoti Rama kishte detyrimin të raportonte para partisë së tij dhe para shqiptarëve ku jemi me këto prioritete. Nuk foli fare. Pse? Shpjegimin e jep shprehja e njohur “në shtëpinë e të varurit nuk përmendet litari”. Gjendja është kaq e rëndë sa nuk të lejon as të gënjesh apo të lustrosh. Korrupsioni dhe krimi me ortakëri qeveritare janë problemi më i madh që ka Shqipëria në sytë e partnerëve amerikanë dhe europianë. E theksonte edhe raporti i djeshëm vjetor i CIA-s. Që Shqipëria mund të humbasë çeljen e negociatave për shkak të korrupsionit të lartë na ka paralajmëruar në mënyrën e saj edhe ambasadorja e BE-së në Tiranë, zonja Vllahutin, dhjetorin e kaluar. Qeveria propagandistike ecën me “bëje, o zot ëndërr” të gomarit para ujkut. Por kur të përplaset me të vërtetën do t’i ketë hyrë sërish në borxh ëndrrës europiane të shqiptare, duke e vonuar për interesat e veset e saj.
Duke mos folur për detyrat e tyre, kryeministri dhe jesmenët e tij bëhen plotësisht të pabesueshëm dhe qesharake, kur lajthisin ta shndërrojnë mbledhjen e forumit të tyre partiak në një gjykatore të opozitës. A thua se nuk janë pushteti, por antiopozita në pushtet, një institucion që nuk e ka asnjë vend në botë.
Dhe ja ku vijmë te parakushti i dytë për suksesin e një përçapjeje gjithëpërfshirëse: Personi që bën thirrjen duhet të jetë etik në komunikim. Edhe kur i di ndonjë të keqe kundërshtarit që do të ftojë, nuk ia përmend, nuk ia paketon si bajgë bashkë me ftesën. Se tjetri nuk ka se si të vijë pastaj. Vetëm kryeministri i Shqipërisë i fton kundërshtarët të bashkëpunojnë duke i akuzuar. Është një mënyrë mjaft e suksesshme për të dështuar bashkëpunimin.
Parakushti i tretë: thirrja për opozitën dhe kreun e saj duhet të jetë e drjetpërdrejtë dhe konkrete. Kështu, majë më majë e degë më degë nuk vlen. A kishte dhe a ka realisht zoti Rama një kërkesë konkrete për zotin Basha? Nuk e përjashtoj se mund ta ketë. Pse nuk e bën? Ka shumë arsye. Një arsye është kjo: një kërkesë konkrete do ta fuste diskutimin në rrjedhën e politikës, e cila operon në një fushë konceptesh, idesh, zgjidhjesh e zhvillimesh që nuk lënë hapësirë për lojëra fjalësh, ndërkohë që zoti Rama dhe gjithë shkolla dhe kupola e partisë së tij janë të investuar në propagandë e diversion. Ata duan të duken burra të mirë, sikur duan gjithpërfshirje, por gjithë hallin e kanë t’ia faturojnë opozitës që tani dështimin eventual për çeljen e negociatave. “Është e paimagjinueshme”, tha Rama, “që për të na penguar, ata që duhet të marrin vendimin, ta gjejnë pengesën brenda Shqipërisë dhe ta gjejnë te qëndrimi krejtësisht i papranueshëm i opozitës dhe te ato shfaqjet e paimagjinueshme për botën normale demokratike europiane, me fishekzjarre stadiumi dhe me çizme që përdoren si sende të forta në luften politike”. Ideja është kjo: Shqipëria rrezikon negociatat sepse ka gjuajtur me çizme Monika dhe kanë ndezur fishekzjarre stadiumi disa deputetë të PD-së! O, Zot! Askush nuk ia mohon Ramës të drejtën t’u përvishet me gjithë talentin e tij çizmes dhe fishekzjarreve. Ka edhe opozitarë që kanë rezerva për gjestet që kalojnë në eksese. Por të predikosh rrezikimin e negocitatave nga çizmet e Monikës apo fishekkzjarret e Salianit, fjala vjen, kjo është demagogji e pastër. Është fyerje për prioritetet që ka caktuar BE. Le të ndezë ditë natë opozita fishekzjarre, le të hedhë një dyqan me çizme në drejtim të karriges së kryeministrit, negociatat nuk ka forcë t’i ndalë nëse përmbushen pesë prioritetet. Sikurse nuk ka paqe qeveri-opozitë që mund t’i çelë nëse nuk përmbushen .
Siç rrezikohet nga korrupsioni dhe krimi, çelja e negociatave mund të rrezikohet edhe nga vonesat eventuale në zbatimin e reformës në drejtësi. Këtu po që mund të ketë një propozim dhe një thirrje konkrete të Ramës për Bashën. Një thirrje për të rakorduar në komisionet parlamentare një kalendar konkret për ngritjen e organeve kushtetuese të reformës. Reagimi i Bashës në këtë rast nuk mund të jetë veçse pozitiv. Opozita po ngulmon për zbatimin e reformës në drejtësi ashtu siç është vendosur në kushtetutë. Opozita mund të bëhet vetë protagoniste e përshpejtimit
Po a është kjo thirrja që nuk bëri Rama?
Nuk e dimë.
Nëqoftëse është kjo, por nuk e bëri dot, do të duhet të themi, duke i huazuar fjalorin në këtë rast, se ka frikë nga thirrja e tij.


