Zgjedhja e kryeprokurores së përkohshme nuk ka lidhje me drejtësinë që presim nga Reforma në Drejtësi. As me vetë paketën ligjore të kësaj reforme. Pavarësisht se si kërkon ta shesë makina propagandistike e qeverisë. Nakatosja e këtyre gjërave pothuajse pa lidhje, diku për shkak të një shpërqendrimi të përgjithshëm mendor që ka kapluar vendin, diku me nxitjen e mendjeve djallëzore të kupolës qeveritare, ka bërë që debati të bjerë në konfuzion ose në propagandë të trashë. Debatohet për frikën, kryesisht për frikën: kush ka më shumë frikë.
Ai që ka më shumë frikë është gjithmonë kundërshtari politik. Secili e di mirë këtë për tjetrin! Edhe unë besoj se ka politikanë që kanë e duhet të kenë frikë nga zbatimi i Reformës në Drejtësi. Fakti që njëzet e shtatë vjet pas hapjes demokratike, konfrontimi politik apo dikotomia politike është mbledhur rreth temës se cila palë është më e korruptuar se shoqja, ilustron më së miri urgjencën e një drejtësie që do të ndajë shapin nga sheqeri.
Thënë këtë, mbajtja e debatit në retorikën e frikës është pa sens, sa kohë që të gjithë politikanët e Shqipërisë, të vjetër e të rinj, të majtë e të djathtë, e kanë votuar këtë reformë në verën e vitit 2016. Askush nuk mund të pengojë zbatimin e saj. Edhe po ta ketë ndërmend. Kjo është reforma që ka ngritur pritshmëritë më të mëdha publike në vend. Kush lë përshtypjen se po kërkon ta sabotojë e paguan shtrenjtë në votime. Edhe nëse ndokush do të provonte të bënte kamikazin, nuk do t’ia arrinte qëllimit për një arsye fatlume për të gjithë ata që e duan këtë reformë: ajo është hartuar e do të zbatohet në bashkautorësi me partnerët amerikanë dhe europianë.
Ne nuk e dimë kë do të zërë reforma. Ligjet në vendet demokratike nuk bëhen për individë, por për dukuri. Ndaj debati politik duhet të dalë nga spiralja e retorikës për frikën dhe t’u kushtohet çështjeve konkrete që përshpejtojnë zbatimin e reformës. Prokurorja e përkohshme u zgjodh ashtu siç u zgjodh, pikërisht sepse nuk është bërë gati për zbatim Reforma në Drejtësi.
Zonja Arta Marku e ka në dorën e saj të ngrihet në lartësinë e pritshmërive më të mira të publikut për një prokurori që nuk llokoçitet në kënetën e korrupsionit dhe përdorimit politik. Sikurse paraardhësit e saj, ajo nuk pengohet nga ligjet në fuqi të japë shembullin e përballjes kurajoze e profesionale me sistemin shumëvjeçar të pandëshkueshmërisë në nivele të larta.
Nuk e ekzagjerojmë kur themi se Shqipëria noton në krim. Droga, koncesionet, aferat mafioze me tokat janë krime thuajse të zbardhura nga institucionet e kontrollit, ku veç atyre shtetërore, bëjnë pjese edhe opozita, mediat, organizatat investigative të shoqërisë civile. Hetimi dhe procedimi penal mbi këto dosje të dokumentuara e të relatuara me hollësi shpeshherë nga raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit do të çojë automatikisht te peshqit e mëdhenj. Nuk ka aferë korruptive të madhe në Shqipëri pa një peshk të madh a disa peshq të mëdhenj prapa saj.
Me disa shembuj, edhe pse kohën e ka të kufizuar, zonja Marku do t’i jepte dinjitet organit të akuzës, sikurse do të përgënjeshtronte paragjykimet që kanë shoqëruar zgjedhjen e saj. Ka në favor frymën e re që ka krijuar Reforma në Drejtësi në disa segmente të organit të akuzës. Janë të shumtë prokurorët që duan të kapin e të jenë në trenin e ri të drejtësisë së re. Ka në disfavor mënyrën e zgjedhjes. Por mund të ngushëllohet prej faktit se kryeprokurori nuk është organ përfaqësues që merr fuqi nga vota. Merr nga ligji.
Duke ia lënë asaj barrën e provave në detyrën e re, le të përsërisim edhe një herë se zgjedhja e saj është një gjë dhe Reforma në Drejtësi është një gjë tjetër. Reforma në Drejtësi, për sa i përket hetimit dhe akuzës, do të jetë KLP, do të jetë Prokurori i zgjedhur sipas Kushtetutës, do të jetë SPAK-u dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, ku do të marrin pjesë prokurorë dhe ekspertë amerikanë e europianë. Këto janë të rejat, të tjerat kanë qenë prej njëzet e ca vitesh.
Vetëm kur të ngrihen e të fillojnë nga puna organet e reja do të kemi të drejtë të flasim e të gjykojmë për produktin e Reformës në Drejtësi. Opozitën e nderon fakti që, duke ngritur pretendime për procedurën antikushtetuese të zgjedhjes së prokurorit të përkohshëm, ka ngulmuar e ngulmon për të përshpejtuar krijimin e KLP-së, SPAK-ut dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, domethënë për zbatimin e Reformës në Drejtësi që është e vetmja që mund të sjellë ndryshimin e pritshëm në sistemin e drejtë- sisë. Ligji është zbatimi, thotë një sentencë e famshme.
Opozita ime e dashur nuk zhgënjen pothuajse asnjëherë të provokohet nga Kryeministri demagog. Por ngulmimi i saj për të zbatuar sa më shpejt reformën u vë kapak paragjykimeve që investohen kundër saj dhe diskutimeve se kush ka frikë e kush nuk ka frikë nga kjo reformë. Qëndrimet e opozitës demaskuan në dritë të diellit vonesën e qëllimshme të krijimit të KLP-së. Edi Rama mund ta ketë menduar si asin nën mëngë këtë vonesë me qëllim që të përfitonte kohë dhe pozicione nga përkohësia e kryeprokurorit të përkohshëm.
Të gjitha këto i hodhi dhe po i hedh në erë opozita ballore. E panë të gjithë me sa shpejtësi i gjeti kandidatët për anëtarë të KLP-së shoqëria civile pas protestave të opozitës në rrugë dhe në Parlament. Kështu i do mushka drutë. Shqiptarët e kuptuan hilenë e qeverisë. Shqiptarët kuptuan, ma merr mendja, se përtej llogoreve politike, e vetmja gjë thelbësore me vlerë në këtë periudhë është fillimi sa më shpejt i zbatimit të Reformës në Drejtësi. Që nuk ka asnjë lidhje dhe ndodhet akoma përtej zgjedhjes së prokurores së përkohshme, Arta Marku.