Drekën e bashkimit të demokratëve, Xhelal Mziu e sheh si fillimin e ri drejt një hapi të madh, atë të unifikimit të PD-së para zgjedhjeve lokale të 14 majit.
Z. Mziu tregon për gazetën “Panorama” se si i lindi ideja për takimin përbashkues pikërisht në fundviti dhe si reaguan deputetët në momentin që u kërkoi pjesëmarrjen në një nga restorantet në periferi të kryeqytetit. Por, deputeti demokrat paralajmëron se gjatë muajit janar do të ketë negociata intensive deri në konkretizimin e bashkimit të plotë të PD-së.
Z. Mziu shprehet se negociatat do tu besohen disa ish ministrave të qeverisjes së PD-së, të cilët nuk janë pozicionuar me asnjërin grupim në PD. Ai është shpresëplotë se vetëm të bashkuar do të mund të fitojnë 50 për qind të bashkive në të kundër opozita do të pësojë humbjen më të thellë më 14 maj 2023
Z. Mziu, ju u bëtë pajtues i demokratëve, të cilët prej më shumë se një viti janë të përçarë. Si ju erdhi kjo ide dhe pse pikërisht tani në fund viti…?
Ne kemi më shumë se një vit të përçarë pa mundur të arrijmë tek bashkimi. Pati një tentativë para disa kohës mes Edi Palokës dhe Gazmend Bardhit, por që negociatat dështuan. Po afrojnë zgjedhjet e ardhshme lokale, ndërkohë që situatë brenda PD-së vazhdon të jetë e ndarë. Kështu që momenti i festave mendova se do të ishte momenti më i mirë si një instrument bashkues. Festat përbashkuese mendova se do të ishin favorite për të bërë një hap drejt bashkimit të të dy palëve. Dhe besoj ia dola sepse çdo gjë shkoi mirë.
Ndërkohë, ju kishit menduar edhe vendin e pajtimit. Ku drekuan demokratët…?
Vend më të spikatur sesa “Uka Farm” nuk mund të gjeja. Një pritje e shkëlqyer na u rezervua nga Rexhep Uka. Ai mbetet një figurë e nderuar e Partisë Demokratike. Është ish deputetë dhe ish ministër I PD-së dhe për shkak të kontributit të gjatë në Partinë Demokratike, ai ndikoi që në fillim për një atmosferë sa më të qetë dhe përbashkuese, duke u bërë edhe pjesë e tavolinës sonë.
A ishte e vështirë t’i ulesh në një tavolinë përfaqësuesit e dy kampeve kundërshtare në PD? Si iniciatuat me palët për të arritur deri te dreka…? Nga e morët këtë indice?
Gjatë seancave parlamentare, pas përfundimit të tyre, deputetët konsumojnë edhe kafe. Kafeja konsumohet Brenda ambienteve të parlamentit. Ajo që është mjaft shqetësuese për mua është që deputetët e PD-së ndahen veç e veç edhe në kafe. Nuk ulen me njëri-tjetrin. Madje, ata e kanë më kollaj që të ulen me kolegët e tyre të PS-së sesa me demokratët e palës tjetër. Ndaj nisur nga ky fakt, mendova që ti ulë të gjithë një drekë. Dhe në seancën e fundit, ditën e enjte, bashkë me disa kolegë, përfaqësues të të dy kampeve kundërshtare ua bëra prezent idenë time për festat e fundvitit. Ata e mirëpritën propozimin tim dhe më premtuan se do të flisnin me kolegët e tjerë që të vendosnim përfundimisht për drekën…
Kush ishin këta deputetë që negociuat me ta…?
Me mua në tavolinë ishte Ramadan Likaj, Ina Zhupa, Greta Bardeli dhe Lindita Metaliaj. Ne ishin si kolegë dhe po konsumonim një kafe po ata u përkisnin dy kampeve kundërshtare. Pavarësisht kundërshtive, ata e mirëpritën propozimin tim dhe pranuan që të flisnin me pjesën tjetër të kolegëve dhe realisht ashtu ndodhi.
Ju më pas komunikuat direkt me gjithsecilin? Si u bë ftesa nga ana juaj?
Unë ua kam çuar mesazhin në telefon secilit nga deputetët e PD-së, pa asnjë përjashtim. Madje disa deputetë të Rithemelimit e paragjykuan takimin dhe më kërkuan më shumë informacion rreth takimit. Pasi i sqarova u mirëkuptuam derisa pranuan ftesën.
Dhe disa iu përgjigjen, ndërsa disa jo…? Cilët prej tyre nuk kthyen përgjigje?
Ata që nuk patën asnjë reagim pas SMS-së sime ishin vetëm 4 deputetë.
Cilët janë ata…?
Kreshnik Collaku, Orjola Pampuri, Orjela Nebiaj dhe Zheni Gjergji.
Cila ishte përgjigjja që morët nga Lulzim Basha?
Basha më falënderoi për organizimin e drekës dhe më kërkoi ndjesë që nuk mundi të vinte pasi ishte jashtë shtetit.
Ju besoni se nëse nuk do të ishte jashtë shtetit, z. Basha do të ishte pjesë e drekës përbashkuese?
Kam bindjen se po sepse nuk ka çfarë të humbë tjetër përveçse të merrte pjesë në drekën me të gjithë kolegët e Partisë Demokratike.
Në drekë nuk ishte as Enkeljed Alibeaj. Çfarë përgjigje iu dha ai…?
Me z. Alibeaj kam komunikuar në telefon. Më tha se kishte të fiksuar një angazhim më herët, të cilin nuk mund ta linte, ndaj më kërkoi ndjesë për mospraninë e tij në drekë.
Përveç tyre, kishte edhe disa deputetë të tjerë që munguan. Cilët ishin ata dhe pse nuk iu bashkuan tavolinës?
Ishin disa që ndodheshin jashtë shtetit si Flamur Hoxha, Bledi Nallbati, Luçioano Boçi dhe Zef Hila, të cilët kanë edhe angazhimet elektorale për garën e 14 majit vitin e ardhshëm. Besoj se nëse nuk do të kishin këto angazhime, ata do të ishin pjesë e drekës, të interesuar për bashkim.
Ka deputetë brenda PDsë që nuk janë të interesuar për bashkimin e demokratëve?
Po ka disa. Është një pjesë në minorancë, por që fatkeqësisht mendojnë se jemi më të mirë të ndarë sesa të bashkuar.
Cilët janë ata që mendojnë ndarjen dhe jo bashkimin…?
Nuk do doja të përmendja emra, pasi një pjesë e tyre janë shprehur edhe publikisht.
Po z. Berisha si e priti ftesës tuaj…?
Te z. Berisha gjeta një mirëkuptim të plotë. Menjëherë më konfirmoi pjesëmarrjen madje ai u tregua shumë korrekt me orarin që në nisje të drekës, duke qëndruar deri në fund pavarësisht se kishte angazhime të tjera. Madje doktori e ç’tensionoi situatën që në fillim duke krijuar një situatë të qetë për të gjithë të pranishmit, në mënyrë të veçantë ata që kanë hyrë për herë të parë në Kuvend, të cilët shkëmbyen shumë biseda me doktorin.
Pati edhe diskutime politike për bashkimin e demokratëve?
Biseda kishte edhe nuanca politike ndaj nuk mund të them se nuk pati diskutime për unifikimin e Partisë Demokratike, por më konkrete një bisedë e tillë u bë pas drekës.
Për çfarë bëhet fjalë…?
Pas drekës u mblodhëm vetëm një grup deputetësh nga të dyja palët dhe konsumuam edhe një kafe ku diskutuam konkretisht për bashkimin e demokratëve. Të gjithë ramë dakord për një tjetër përpjekje në muajin janar pasi zgjedhjet lokale po afrojnë dhe ne nuk mund të rrezikojmë që të shkojmë të përçarë, me dy kandidatë sepse do të pësonin një humbje të thellë. Nëse bashkohemi në këto zgjedhje do të fitojmë 50% të bashkive por nëse shkojmë të ndare do të pësojmë humbjen më të thellë.
Cilët deputetë ishin në kafe dhe çfarë u diskutua mes jush…?
Nuk kanë rëndësi emrat por një gjë po ua them të sigurtë që ky grup deputetësh gjatë muajit janar do të bëjnë çdo përpjekje për bashkimin e demokratëve. Ata propozuan që të zgjidhet një grup me ish-ministra të PD-së që të negociojnë konkretisht me secilën palë deri në bashkimin e plotë.
Bëhet fjalë për ish-ministrat Genc Rulin dhe Arben Imamin si negociatorë mes palëve?
Do të ketë takime më intensive lidhur me këtë proces derisa të arrijmë të bashkimi i plotë. Pas 3 muajsh, kemi zgjedhjet lokale dhe ne hyjmë në garë me dy kandidatë dhe jo më kandidatë të përbashkët. Nuk duhet të ndodhë kjo. Kjo do të na kushtojë humbjen e thellë ndaj i duhet paraprirë me unifikimin me një kandidat.
Nuk ka rëndësi nëse do të jetë i grupit të rithemelimit, apo i grupit tjetër. Le të zgjidhen më të mirët, ata që kanë reputacion në zonat e tyre elektorale dhe që mbledhin vota. Mund të jenë ish deputetë, ish kryetar të PD-së apo ish kryebashkiakë. Rëndësi ka që të jenë përfaqësues të një Partie Demokratike, si kandidat i përbashkët. Gjatë negocimit le të vendoset për më të mirët, për unifikimin e një kandidati. Të dy palët të dakordësohen që të zgjidhet një kandidat i përbashkët, por të jetë kandidati më i mirë që mbledh vota pa e identifikuar se i cilit grupim i përket. E rëndësishme është fitorja dhe jo ndasitë që e rrezikojnë fitoren e PDsë.
A ishte një “kurth politik” dreka e iniciuar nga ju…
o, pavarësisht se e dëgjova Kreshnik Çollakun ta thotë një gjë të tillë. U paragjykua ky takim, por e them me bindje se kjo drekë ia vlejti, sepse u hodh një hap dhe do të ketë të tjerë hapa Brenda muajit janar për bashkimin e PDsë. Kam pasur qindra mesazhe falënderimi për organizimin e festës sepse edhe vet demokratët jo vetëm në qendër, por edhe në bazën e partisë u ndjenë të ctensionuar dhe më të çliruar nga ngërçi i krijuar brenda Partisë demokratike. Kjo situatë duhet të marrë fund, pasi zgjedhjet po afrojnë dhe duhet të dalim me programin dhe alternativën tonë përballë një qeverie që qeveris me paligjshmëri, që ka bërë shumë qytetarë të pakënaqur, të cilët po i detyron që të marrin rrugët e emigrimit për shkak të keqqeverisjes dhe lidhjeve të forta me krimin dhe korrupsionin.
Kësaj qeverie që ju e denonconi, me një Kryeministër që shemb një resort me leje si “Prestige” dhe godet me grusht liderin e opozitës, Sali Berisha, besoni se i ka ardhur koha për ta larguar…?
Largimi i kësaj qeverie është emergjencë kombëtare pasi kemi të bëjmë me një qeveri që të tre mandatet i ka marrë përmes manipulimit të votës, përmes lidhjeve të forta me krimin e organizuar. Është një Kryeministër, i cili po mban këtë qeveri nën presion ndaj çdo kundërshtari përfshi edhe biznesin privat si në rastin e shembjes së “Prestige Resort”. kemi një deklaratë publike të Artan Lames i është shprehur se janë mbi 300 mijë objekte pa leje, ndërkohë që Kryeministrin shemb një ndërtim me leje si në rastin e “Prestige Resort”. Kryeministri shkel hapur ligjin, duke arritur deri te goditja ndaj z. Berisha.
Ky kryeministër qeveris me banditë dhe vendin e ka zhytur në varfëri të plotë duke i detyruar shqiptarët që të emigrojnë në vendet e perëndimit. Ndaj opozita ka detyrimin që të lërë mënjanë ndasitë dhe të bashkohet kundër kësaj qeverie e cila duhet të rrëzohet përmes bashkimit të shqiptarëve rreth opozitës. Ndaj një drekë “pune dhe bashkimi” e PD-së është vetëm fillimi. Më 14 maj 2023, Partia Demokratike do të triumfojë si mazhorancë qeverisëse në Shqipëri.


