Fundi i vitit 2019, do të mbahet mend si periudha kur disa nga institucionet e reja të drejtësisë, filluan të funksiononin. Kjo lë pas skepticizmin rreth këtij procesit duke e bërë optimiste, klimën e përgjithshme rreth ecurisë së reformës në drejtësi, gjatë 2020.
Këto ditë pritet të zgjedhet edhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë, pasi u bë vlerësimi me pikë nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) i kandidaturave, për këtë post të lartë. Inspektori ka një mandat 9 vjeçar dhe është përgjegjës për kontrollin disiplinor të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve. Parlamenti do të votojë për këtë post, një nga 5 emrat në garë: Artur Metani, Sokol Stojani, Joana Asimi Sorraj, Eris Hysi dhe Lindita Troja.
Reforma në drejtësi nisi të zbatohet pas fillimit të punës nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitoritmit (OMN). Fillimisht u krijuan Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA), të cilat meren me procesin e vettingut të 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve në sistem. Ata që i kaluan këto filtra (rreth 50% e 200 të kontrolluarve deri tani) krijuan bazën për krijimin e institucioneve të reja të drejtësisë.
Fillimisht u ngritën Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), që drejtohet nga Ardian Dvorani. Këshilli i Lartë të Prokurorisë (KLP) drejtohet nga Gent Ibrahimi, ndërsa Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) nga Naureda Llagami. Të tre këto struktura funksionojnë prej një viti. Ato janë përgjegjës për organizimin e procedurave dhe përzgjedhjen e anëtarëve dhe drejtuesve të institucioneve të reja të drejtësisë.
Nga KED, Parlamenti dhe Presidenca do të burojnë Gjykata Kushtetutese dhe Gjykata e Lartë. Procesi i ngritjes së Gjykatës Kushtetuese, ka hyrë në ngërç artificial, pasi Presidenti tentoi të anashkalonte një nga anëtaret e saj, Arta Vorpsi e renditur e para në pikëzimin e KED. Pritet mendimi i Komisionit të Venecias, për të rinisur punën për ngritjen gjatë 2020 të kësaj gjykate. Dy nga çështjet e para që ajo pritet të shqyrtojë janë ajo e shkarkimit ose jo të Presidentit Ilir Meta dhe kushtetueshmërisë së zgjedhjeve të përgjithshme Lokale të 30 qershorit.
Institucioni i fundit që pritet të ngrithet, besohet se do të jetë Gjykata e Lartë.
Pak ditë më parë me shumicë votash nga deputetët në Parlamentin e Shqipërisë, Olsian Çela u zgjodh Prokurori i ri i Përgjithshëm i Përhershëm me një mandat 7 vjeçar.
Një ndër sukseset e këtij viti, konsiderohet ngritja e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, SPAK. Tetë prokurorët e përhershëm të tij, bënë betimin në Presidencë. Ka nisur puna për emërimin e 2 prokurorëve të përkohshëm mes tri emrave: Drtian Prençi, Doloreza Musabelliu dhe Anita Jella. SPAK bëhet me 10 anëtarë, sa çështë numri minimal i domosdoshëm për funksionimin e tij normal. Mes tri kandidaturave, është zgjedhur edhe Kreu i SPAK, Arben Kraja.
Paralel me ngritjen e SPAK, Këshilli i Lartë Gjyqësor arrit që të ngrinte Gjykatat e posaçme të shkallës së parë dhe të Apelit. Në këto dy institucione të reja, do gjykohen dosjet e SPAK.
Një ndër hapat e parë të prokurorëve të SPAK do të jetë ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), struktura që mund të konsiderohet ndryshe “dora e hekurt’’ e prokurorisë speciale antikorrupsion. Ambasada amerikane ka njoftuar se oficerët shqiptarë po trajnohen në akademinë e FBI-së në Virxhinia Janë 60 vetë që tashmë prej muajsh kanë marrë të gjithë eksperiencën e nevojshme për praktikat më të mira perëndimore dhe do të kenë në dispozicion pajisjet me moderne të hetimit.
Alpenews.al


