Pozitat juridike pas atyre publike, për ish Kryeprokurorin Adriatik Llalla, po vijnë duke u rënduar. Brenda javës që sapo lamë pas, kanë qenë dy zhvillime të reja që e përcaktuan këtë bilanc negativ për të.
E para, kishte të bënte me vendimin e Kolegjit të Posaçëm të Apelit (ose shkalla e dytë e vettingut) që përcaktoi datën 16 maj, si ditën kur do fillojë procesi për hetimin administrativ të pasurisë së tij, ai i vlerësimit të raporteve me krimin e kriminelët si dhe e perfomancës profesionale gjatë kohës së ushtrimit të mandatit 5 vjeçar në krye të organit të akuzës.
E dyta, ka të bëjë me rëndimin e pozitave të Llallës për shkak të kalimit të dosjes 447 në ngarkim të tij, për hetimet zyrtare lidhur me katër akuza, nga Prokuroria e Durrësit, për kopetencë tashmë Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Në këtë mënyrë pikërisht atëherë kur u mendua se kishte një zbehje apo një zbrapsje të organeve që po mereshin me hetimet administrative dhe penale për Adriatik Llallën, kanë ardhur këto dy zhvillime të bujshme, që kanë rikthyer vëmendjen e shtuar mbi pozitat e rënduara të ish Kryeprokurorit ndaj të cilit brenda dy javëve të para të muajit maj, priten zhvillime shumë interesante.
ÇFARE NDODHI GJATE JAVES ME ADRIATIK LLALLEN/ DY RAPORTE TE MEDIAS
1.- DOSJA, nga Prokuroria e Durrësit, tek Krimet e Rënda
Prokuroria e Durrësit ka shpallur moskompetencën dhe ka dërguar për hetime të mëtejshme në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dosjen numër 447, në të cilën është i shënuar emri i ish-Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla.
Për këtë çështje më herët Top Channel pyeti me e-mail prokurorin e medias pranë akuzës së Durrësit, që pranoi se procedimi penal ishte regjistruar në ngarkim të Adriatik Llallës, ndërkohë që pas shpalljes së moskompetencës të dy prokurorët e medias të të dyja prokurorive nuk u përgjigjen.
I kontaktuar në telefon nga Top Channel, avokati i Adriatik Llallës, Sokol Hazizaj e konsideroi hetimin të paragjykuar.
“Ju theksoj që çdo veprim procedurial, penal në disfavor të të mbrojturit prej meje, Adriatik Llalla, është i stimuluar. Unë mendoj që është proces i paragjykuar”, thotë Hazizaj.
Dosja “Llalla” është sjellë nga Prokuroria e Durrësit në fundjavë dhe nuk dihet ende se kush do të caktohet si prokurori që do të hetojë ish-eprorin nga viti 2012 deri në dhjetor 2017, e po ashtu njeriun që duket se është vendosur në qendër të vëmendjes së të huajve.
Adriatik Llalla ndërkohë pret të dalë para Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që është njëri nga organet e vettingut dhe që do të shqyrtojë qëndrimin e institucionit që mbron interesat e publikut, mbi çështjen a duhet, apo jo të kalojë Llalla në sitat e vettingut, kur ai u dorëhoq nga e drejta për të qenë pjesë e drejtësisë.
“Adriatik Llalla ka dhënë dorëheqjen! Komisioni i Vettingut, ose nuk njeh faktet juridike, ose bën sikur nuk i njeh ato. Në këto kushte unë mendoj që çdo proces lind, zhvillohet dhe prodhohet ndaj të mbrojturit prej meje, Adriatik Llalla është joligjor”, deklaron Hazizaj.
Trupa gjyqësore me pesë anëtarë, mes tyre edhe ish-prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama që ishte paraardhëse e Llallës në krye të akuzës, ka thirrur seancën për në datën 16 maj.
Por duket se pozitat e Adriatik Llallës janë vështirësuar, pa kaluar shumë kohë nga dorëzimi i detyrës prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Markut.
Disa muaj pas një historie konfliktuale me diplomatin amerikan në Tiranë, së fundmi Departamenti Amerikan i Shtetit i ndaloi Adriatik Llallës dhe familjes së tij, hyrjen në SHBA.
Ky vendim u miratua nga sekretari i Shtetit, Rex Tillerson me arsyetimin e përfshirjes në raste korrupsioni.
Nga ana tjetër, edhe ambasadori amerikan Donald Lu paralajmëroi se çështja “Llalla” nuk mbyllet me një kërkesë të tij për të mos qenë pjesë e drejtësisë. Ish-prokurori i Përgjithshëm i konsideroi reagimet e ambasadorit amerikan si të paparanueshme.
2.- KOLEGJI i Apelimit, më 16 maj gjykon çështjen e ish Kryeprokurorit
Ish kryeprokurori Adriatik Llalla megjithëse dha dorëheqjen nga sistemi drejtësisë që do të thotë mos përfshirje në veting nuk do ti shpëtojë përballjes me Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Ky kolegj njofton se ditën e mërkurë në datën 16.05.2018, ora 10:00, do të shqyrtojë çështjen e ish prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla.
Pas vendimit për ndërprerjen e vetingut për ish kryeprokurorin u vu në lëvizje Kolegji i Posaçëm i Apelimit nga Komisioneri Publik i cili kërkoi rivlerësimin e Z. Llalla. Kjo është hera e parë për Kolegjin e Posaçëm të Apelimit në marrjen në shqyrtim të një kërkese ankimuese nga nga Komisioneri Publik.
Ndërkohë Llalla do të përballet në këtë proces edhe me ish paraardhësen e tij Ina Rama e cila është pjesë e trupës së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Pas shumë akuzave për akumulim të pasurisë në mënyrë jo ligjore kjo do të jetë hera e parë kur ish-kryeprokurori personalisht ose përmes avokatit do të japë llogari. Aktualisht Llalla është nën hetim për “pastrim parash” nga prokuroria e Durrësit.
Trupi Gjykues, përbëhet nga gjyqtarët:
Kryesues i Trupit Gjykues Sokol Çomo
Relator i Çështjes Luan Daci
Anëtar Albana Shtylla
Anëtar Ardian Hajdari
Anëtar Ina Rama
Por si përfundoi ish-kryeprokurori në Kolegjin e Posacëm të Apelimit?
Rreth dy muaj më parë Llalla paraqiti një kërkesë për dorëheqie pranë presidencës dhe komisionit të pavarur të kualifikimit duke hequr dorë nga statusi i gjyqtarit të apelit që fitoi pas postit të kryeprokuririt. Dorëheqja e tij u pranua dhe sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese Vettingu ndaj Llallës u ndërpre.
Kolegji i Posaçëm i Apelimit Por vendimin e KPK-s e ka ankimuar komisioneri publik i cili kërkon që ky proces të mos ndërpritet por ti shkohet deri në fund.Ndërkohë, përballjen me drejtësinë Llalla duket se nuk do ta ketë të lehtë. Kjo pasi Prokuroria e Durrësit ka regjistruar procedim penal për disa akuza si “fshehje pasurie” si dhe “mosdeklarim të shumave të parave në pikat e kalimit kufitar”.
Përgatiti: Alpenews.al


