Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka dalë në një konferencë për mediat ku ka reaguar menjëherë pas mbylljes së fushatës elektorale për zgjedhjet e 30 qershorit.
Basha ka thënë se Rama është mishërimi i politikanit më të keq në vendin tonë. Basha më pas ka thënë se PD ka patur mision për të hequr të keqen e qeverisë Rama.
Sipas pretendimeve të Bashës, opozita bëri një betejë të ashpër për dekriminalizimin e vendit sapo Rilindja kishte ardhur në pushtet, ku sipas tij erdhi edhe përgjigja për të djegur mandatet.
“Vetëm bojkoti solli dekriminalizimin e parlamentit” ka thënë ndër të tjera Basha.
Në fjalën e tij ai ka thënë se opozita ka bërë gabime dhe disa gjëra nuk janë bërë ashtu siç duhet.
Pjesë nga fjalimi i Bashës:
Rama një zombie politik. 30 Qershori hapi fatal politik që ccon drejt rrëzimit regjimin e Ramës. E kam thënë disa herë javët e fundit se 30 qershori do të jetë hapi fatal politik i regjimit kriminal në pushtet. Më 30 qershor do të fillojë spiralja e rrëzimit të këtij regjimi drejt vdekjes së tij. Më mirë se çdo gjë, këtë rënie të pashmagshme, këto ditë, e shpreh figura prej zombi politik, e cila bredh, prej javësh, nëpër Shqipëri, duke u përpjekur të ringjallet me humorin banal, me mashtrimet bajate, me kërcënimet paranojake. Ju ftoj ta shikoni mirë këtë fytyrë të përçudnuar nga pesha e krimit dhe e së keqes dhe të mos e harroni pamjen e saj. Neveria që sot shqiptarët ndjejnë për të nuk duhet të na bëjë ta harrojmë atë. Duhet ta fiksojmë mire fytyrën e së keqes, fytyrën e etjes së verbër për pushtet, fytyrën e tradhëtisë, sepse nuk duhet të lejojmë fytyra të ngjashme rë marrin në dorë fatet tona përsëri. Shpesh, kur vjen fundi e keqes shoqërore, njerëzit ndjejnë një lehtësim çlirues që i bën ata ta harrojnë shpejt atë që ishte dhe të mos reflektojnë se si erdhi dhe u forcua e keqja. Mungesa e reflektimit ka qenë një mallkim shoqëror për ne si shoqëri. Ne, rrallë, kemi reflektuar pas të këqijave, prandaj i kemi përsëritur ato.


