Një mesazh në telefonin e Drejtoreshës së Operatorit të Kujdesit Shëndetësorë në Shkodër duket se ka qenë shpëtimi i Suida Kukës nga shpërthimi i mundshëm.
Burime pranë policisë së Shkodrës bëjnë me dije, se Suida Kuka, ka marrë një mesazh në telefonin e saj, nga një numër i panjohur ku është njoftuar për lëndën plasëse në mjetin e saj. Menjëherë pas këtij mesazhi ajo ka marrë në telefon forcat e policisë së Shkodrës, të cilët kanë rrethuar zonën dhe kanë kërkuar evakuimin e të gjithë institucionit.
Në dëshminë e saj në policinë e Shkodrës, Suida Kuka ka deklaruar se nuk e njihte atë numër, ndërkohe që pikërisht në këtë moment policia e Shkodrës dhe prokuroria po hetojnë edhe në lidhje me tabulatet telefonike dhe po kërkohet gjurmimi i numrit që dërgoi mesazhin.
Nga ana tjetër në dëshminë në polici ajo ka deklaruar se nuk ka konflikte me persona te tjerë ndërkohë që edhe sa i takon detyrës si titullare e institucionit nuk ka pasur konflikte apo presione.
Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë në të gjithë lagjen “Vojo Kushi” për të parë lëvizjet e dyshimta dhe personin me motor që dyshohet se ka vendosur lenden eksplozive.
Ende nuk ka një pistë hetimi nga ana e policisë së Shkodrës megjithatë ajo çfarë bëjnë më dije burimet mësohet se po hetohet në lidhje me pozicionin e punës së drejtoreshës Kuka.


