Kandidati për ambasador të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Eric Wendt, është paraqitur sot përpara Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë në Senatin amerikan, në kuadër të procedurës së konfirmimit për postin diplomatik në Tiranë.
Në fjalën e tij ai u shpreh se Porto Romano mund të përdoret për të përmbushur synimet e Aleancës së Altantikut të Veriut.
“Shqiptarët që kam njohur në Afganistan dhe gjatë drejtimit të forcave speciale të NATO-s kanë guxim dhe profesionalizëm. Ata janë ushtarakë të mirë dhe partnerë të besueshëm për aleancën. Do të sigurohem që të pajisën për të përmbushur synimet e NATO-s. Shqipëria ka përmbushur 2 për qind të shpenzimeve për ushtrinë, janë zotuar ta çojnë në 5 për qind.
Kam besim se do të ketë një vlerësim dhe mënyra të ndryshme që do të gjejmë, që do të tejkalojnë detyrat ushtarake për të përmbushur synimet e NATO-s.Porto Romano është një nga portet kyçe në Shqipëri. Nëse në të ardhmen do të ketë një terminal të sigurt ngarkesash dhe një infrastrukturë të përshtatshme, ai mund të shërbejë si një pikë shumë e rëndësishme për NATO-n. Përmes korridorit pan-evropian numër 8, pajisjet ushtarake mund të lëvizin lirshëm dhe kjo do të ishte shumë e dobishme si për aleancën, ashtu edhe për bizneset amerikane që mund të përfshihen në zhvillimin e portit dhe infrastrukturës”, tha ai.


