Ndërkohë që është bërë diçka e rrallë shfaqja e një kompanie të re ajrore në Europë, të premten më 14 shtator “Air Albania” bëri fluturimin e saj të parë me një avion “Airbus A319”, shkruan portali grek që i dedikohet botës së aviacionit “airlinegeeks.com”.
Kjo kompani ajrore, që do të fluturojë nga aeroporti i kryeqytetit shqiptar, “Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës Nënë Tereza”, fillimisht do kryejë fluturime drejt Turqisë dhe më pas do të shtojë rrugë për në Romë, Milano dhe Londër.
Aviacioni shqiptar ka një histori vërtetë të shkurtër por me shumë ngjyra. Aktualisht operon vetëm një kompani ajrore vendase, “Albawings” me qendrën në Tiranë. Megjithatë, nëse nuk jetoni në Izrael apo Itali, dy kombet e vetme drejt të cilave operon, me shumë mundësi nuk i kane parë dy avionët e flotës së saj.
Kompania e parë ajrore në vend ishte “Albanian Airlines”, që operoi nga viti 1991-2011 nën drejtimin e pronarëve të ndryshëm vendas dhe të huaj, para se t’i hiqej liçensa nga autoriteti kombëtar i aviacionit civil. Më pas u shfaq një kompani ajrore më e shtrenjtë, “Belle Air”, që operoi nga viti 2005-2013 me 23 destinacione. Fatkeqësisht ajo falimentoi në vitin 2014.
Gjithsej, në Shqipëri ka patur pesë kompani ajrore që janë shfaqur dhe më pas janë zhdukur që prej fillimit të viteve 1990, ku të gjitha kanë vuajtur nga një kombinim i dobët mes drejtuesve dhe mungesës së mbështetjes qeveritare. Pyetja që ngrihet është nëse “Air Albania” do të jetë e radhës në një listë në rritje të elefantëve të bardhë, apo do të arrijë suksesin duke mbajtur një prani të vërtetë dhe substanciale në aviacionin ndërkombëtar.
Për momentin një gjë është e qartë, “Air Albania” ka avionin e saj të parë do të fillojë shërbimin e rregullt drejt qytetit më të madh të Turqisë, Stambillit. Është njoftuar gjithashtu se në një të ardhme të afërt, flotës do t’i shtohen edhe dy “Airbus A320s”, megjithatë ende nuk janë dhënë datat specifike.
Aeroporti i Tiranës ka marrë emrin në nder të Nënë Terezës. Duke parë historinë e industrisë së aviacionit shqiptar, ndoshta do të duhet edhe pak fat nga emri i saj për këtë përpjekje më të fundit që të shndërrohet në një sukses afat gjatë.