Greqia ka njoftuar masa drastike përfshirë shkurtim të taksave dhe incentiva të tjera financiare për t’iu përgjigjur plakjes së popullsisë që po kthehet në më të moshuarën në Europë.
Kryeministri tha se paketa e ndihmave prej 1,6 milionë eurosh ka ardhur prej një prej sfidave më të mëdha të vendit: një krizë demografike e një shkalle të paprecedentë, raporton The Guardian.
“Ne e dimë se kostoja e jetesës është një gjë nëse nuk ke fëmijë dhe një gjë tjetër kur ke dy apo tre”, tha Kyriakos Mitsotakis të dielën pas njoftimit. “Kështu që si shtet, ne duhet të gjejmë një mënyrë për të shëprblyer qytetarët tanë që zgjedhin të bëjnë fëmijë.”
Masat, të cilat variojnë në një lehtësim prej 2% për të gjitha taksat e deri në zero për familjet me të ardhura të ulëta dhe katër fëmijë, do të nisin të aplikohen në vitin 2026. Mitsotakis e quajti paketën reformën më të fortë të taksave të vendosur në Greqi për më shumë se 50 vjet.
Politikat u shtohen iniciativave të tjera të qeverisë për të zgjidhur problemin.
Lindshmëria në Greqi është ndër më të ulëtat në Europë, 1,4 fëmijë për grua kur duhet të jetë 2,1 ndaj Mitsotakis e quan problemin “kërcënim kombëtar”.
Popullsia greke është në rrugën që të bjerë nga 10,2 milionë banorë nën 8 milionë në vitet 2050, kur 36% e saj do të jetë mbi moshën 65-vjeçare, sipas Eurostat.
Duke pranuar se plakja ka marrë përmasa ekzistenciale, ministri i Financave, Kyriakos Pierrakakis, tha se lindshmëria është përgjysmuar që në fillim të krizës ekonomike që kaploi vendin 15 vite më parë.


