Valentina Leskaj, një personazh i njohur i politikës shqiptare, promovoi sot në Tiranë librin e saj “Politika si ide” nga botimet Toena.
Në ceremoninë e promovimit të këtij libri morën pjesë kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ish-presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, ministra të kabinetit qeveritar, deputetë, shkrimtarë, gazetarë etj.
Leskaj në fjalën e saj u shpreh se, “ky libër nuk është një libër kujtimesh, nuk është një libër që ka të bëjë me jetën time. Është një libër reflektues se si unë i shoh disa nga çështjet që përballet shoqëria shqiptare, që padyshim që ka qenë pjesë e angazhimit tim qytetar, e angazhimit profesional dhe atij politik”.
“Jam ulur të shkruaj këtë libër 3 vjet pasi jam larguar nga politika, dhe jo pa qëllim, sepse unë besoj se një distancë në kohë të jep mundësi, pse jo për një gjykim më distant dhe më të ftohtë. Çdo analizë është ajo çfarë kam mësuar çdo ditë nga jeta ime politike. Padyshim një politikan nuk pushon së qeni i angazhuar edhe kur vendos të largohet apo të tërhiqet nga politika aktive, pasi unë mendoj që beteja e ideve bëhet motoja e tij dhe natyrisht ajo është brenda teje”, tha Leskaj.
“Për vetë kontekstin historik, shoqëria jonë ende nuk ka një debat mirëfilli për disa çështje të rëndësishme, ku mendimi botëror prej gati një shekulli ka qenë i angazhuar. Edhe pse për shumëkënd nga ne duket si një pretendim i largët, për një vend të vogël dhe për një politikë me probleme, unë mendoj se ka ardhur koha që ne t’i japim më shumë hapësirë debatit për çështje që i kalojnë kufijtë e politikës së ditë që shpesh dominon debatin publik”, theksoi Leskaj.
Ajo tha se në libër preken disa nga çështjet që lidhen me këtë temë si kultura politike, apo niveli i demokracisë.
“Kulturën politike unë e shoh si lakmues të demokracisë funksionale. Por ne edhe pas 30 vjetësh në fakt diskutojmë për gjëra bazike të një demokracie funksionale. Diskursi publik shpesh vërtitet tek gjëra që janë bazike për një demokraci funksionale, siç janë zgjedhjet apo mungesa e dialogut politik. Për pasojë, shumë gjëra që e bëjnë një politikë serioze dhe me demokraci funksionale mbeten në periferi”, tha Leskaj.
Ndërsa drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli e cilësoi këtë libër si, “një hapësirë e madhe dhe tepër e gjerë idesh”.
“Leskaj artikulon mbi gjuhën e urrejtjes, mbi kulturën politike, dy binome të lidhura fort me njëra-tjetrën, të cilat vijnë në një analizë ndoshta për herë të parë në diskursin publik shqiptar”, tha Bardhyli.
“Leskaj është pararojë në këtë libër edhe për çështje të tjera, siç është ajo e popullsisë, artikuluar herët që në vitin 1992, kohë kur drejtonte Qendrën për Popullsinë dhe Zhvillimin apo më vonë kur drejtonte Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale, duke kërkuar vëmendjen e duhur ndaj një problemi serioz dhe tepër kompleks, referuar statistikave. Artikulimet e saj mbi këtë çështje e çojnë mendimin shqip në sferën e diskutimeve bashkëkohore për popullsinë, të cilat pas pandemisë COVID-19 janë bërë shqetësim i të gjithëve”, theksoi Bardhyli.
Rektori i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Ardian Civici në fjalën e tij tha se, “libri është vërtetë shumë i bukur, i shkruar thjeshtë. Por njëkohësisht, përtej kuriozitetit që ka çdo njeri, çdo individ për politikën, për vendimmarrjen, aty gjen edhe debatet kryesore ideore, bashkëkohore dhe përgjigjet e duhura, të paktën qëndrimin e autores”.
Ndërsa shkrimtarja Diana Çuli në fjalën e saj theksoi se, “Valentina Leskaj për mua nuk mund të kuptohet, por edhe për të gjithë ata që e njohin, pa përpunimin dhe analizën e paprerë të ideve, pa gjetjen e atyre të rejave”.
Ajo shtoi se, “titulli i librit i përshtatet përmbajtjes, si rrallëherë një titull”.
“Ky libër është ndalesë e natyrshme e Valentina Leskajt për të hedhur në letër një pjesë të rëndësishme të përvojës së saj të pasur dhe unike për të na shtyrë të reflektojmë për këto dy dekada”, nënvizoi Çuli.
Ndërsa, drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Piro Misha, u shpreh në fjalën e tij se, “ky është një libër që vërtetë ia vlen të lexohet”.
“Vlera më e madhe e këtij libri është një kontribut dhe mjaft i vyer dhe i veçantë që do të nxisë një debat”, tha Misha, duke shtuar se, “libri ka një gamë të madhe problemesh që preken”.
“Gjëja tjetër e rëndësishme, është se përveç një rrafshi të lakmueshëm teorik dhe intelektual, libri është gjithmonë në një rrafsh krahasues”, tha ai.
*Fjala e plotë e Valentina Leskaj
Të dashur miq!
Jam e prekur kur shoh kaq shumë miq, me të cilët kemi ndarë pjesë
rrugëtimi e sfidash të përbashkëta angazhimi qytetar, politik e mbi të gjitha njerzor.
Faleminderit që jeni sonte këtu, ndihem shumë e nderuar.
Kur u ula të shkruaja këtë libër, m’u kujtua një shprehje që thotë se: një artikull serioz kërkon një kapital studimi e reflektimi.
Pa dyshim që një libër do edhe më shumë, aq më tepër kur mëton ta lidhësh atë me fushën e ideve të cilat janë gjithfarësh: disa vijnë vetiu, për shkak edhe të eksperiencës së gjatë, të tjerat duhet t’i rrëmosh.
Në fakt, ky libër nuk është një memuar, është një libër reflektues se si i shoh disa nga çështjet që përball shoqëria shqiptare e që kanë qenë edhe pjesë e angazhimit tim profesional, politik e atij qytetar.
Jam ulur ta shkruaj 3 vjet, pasi jam shkëputur nga parlamenti dhe politika aktive, çka besoj se të jep mundësinë për një gjykim më distant, më të ftohtë.
Çdo analizë, është ajo çfarë kam mësuar çdo ditë nga jeta ime politike. Po pa dyshim që një politikan nuk pushon së qenë i angazhuar edhe kur vendos të tërhiqet nga politika, pasi beteja e ideve bëhet motoja e tij.
Për vetë kontekstin historik, shoqëria jonë, ende nuk ka një debat mirëfilli për disa çështje të rëndësishme, ku mendimi botëror, prej gati një shekulli, vijon të jetë në diskutime.
Edhe pse për shumë kënd nga ne duket si një pretendim i largët, mendoj se ka ardhur koha që ne t’i japim më shumë hapësirë debatit për çështje që i kalojnë kufijtë e politikës së ditës, që shpesh dominon debatin publik.
Në libër preken disa nga çështjet që lidhen me këtë temë, si ajo për kulturën politike dhe nivelin e demokracisë.
Kulturën politike e shoh si lakmues të demokracisë funksionale po ende edhe pas 30 vjetësh ne diskutojmë për gjëra bazike të një demokracie funksionale. Diskursi publik shpesh vërtitet te zgjedhjet dhe te mungesa e kulturës së dialogut politik, për pasojë, shumë gjëra që e bëjnë një politikë serioze dhe një demokraci funksionale, mbeten periferike.
Jo rastësisht libri hapet me një vlerësim të Vaclav Havelit për demokracinë, të cilën ai e sheh si “marrëdhënie me botën, me shoqërinë, si mënyrë mendimi, shpirtin e jetës publike.
Teknologjia e demokracisë, thotë ai, është e pa konceptueshme pa kulturën demokratike”
A e shohim ne gjithmon kështu? Vështirë ta them.
Politika jonë ende nuk ka qenë në gjendje të krijojë një kulturë të komunikimit e bashkëpunimit për çështje të rëndësishme që kërkojnë përfshirje e çojnë drejt zgjidhjeve afat gjata, sidomos për ato çështje që lidhen me interesa strategjike të vendit.
Nga ana tjetër, po të ndjekësh ligjërimin tonë politik, vështirë të gjesh vija ndarëse të mbështetura në parime apo diferenca ideologjike
Vija mes të majtës dhe të djathtës është holluar, hera herës deri në shuarje, më së shumti në funksion të pragmatizmit elektoral. Po jo vetëm në Shqipëri. Ajo që na dallon është se sot në botë ky është një debat që lidhet me reformimin dhe ribalancimin e sistemit.
Ne ende nuk e kemi këtë debat.
Personalisht besoj në atë që Anthony Giddens thotë se: “e djathta dhe e majta kanë ende diçka për të thënë”
Nuk kam ndërmënd të ndalem në gjithë çështjet që trajton libri, si ato të zhvillimeve demokrafike e sociale, po dua të përmend një refleksion për gruan, që nis me valët e feminizmit deri në ditët tona, kur barazia dhe drejtësia gjinore shihet si çështje e të drejtave njerëzore, me të cilën jo pa kast e nis këtë libër.
E nis kështu jo thjesht për shkak të ndjeshmërisë apo angazhimit personal. Kjo nuk është një çështje emocionale, nuk është një çështje e grave për gratë, është një sfidë e gjithë shoqërisë e për rrjedhojë detyrim për t’i dhënë peshën, drejtësinë e dinjitetin, që meriton.
Politika si ide është një ndërthurje e përvojës sime politike, e një gjykimi më të hapur e të lirë për politikën e së nesërmes e zhveshur nga “gjuha e urrejtjes ndaj tjetrit”, për nevojën e vizioneve të larta që meriton një popull me rrënjë të thella europiane.
Nuk do të doja të flas më gjatë, duke shpresuar në gjykimin tuaj, e për ta shfrytëzuar këtë mundësi, që qysh prej një viti të trazuar për të gjithë, na ka munguar. Por, më lejoni të bëj disa falenderime.
Së pari dua të falenderoj Alda Bardhylin për bashkëpunimin për realizimin e kësaj interviste të gjatë.
Të falenderoj në mënyrë të veçantë Diana Çulin, Selami Xhepën, Pirro Mishën që ishin të parët që e kanë lexuar librin në dorëshkrim, Preçin, i çmoj shumë vlerësimet e tyre për librin.
Falënderimi im i fundit, po jo nga rëndësia, është për familjen për time, për Astritin, bashkëshortin tim, i cili nuk ja doli dot me sëmundjen. Ishte njeriu me të cilin ndaja shpesh idetë e këtij libri dhe gjithë jetën e kaluar bashkë plot mirëkuptim, e që ma ka bërë çdo gjë më të lehtë.
Dua të falenderoj gjithë familjen time që kanë qenë e mbeten mbështetja, frymëzimi dhe motivi për të vazhduar punën time jo gjithmonë të lehtë për ta.
Faleminderit