Ish-kryeministri Sali Berisha vizitoi këtë të premte ekspozitën kushtuar poetëve të pushkatuar nga regjimi komunist, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka.
Në prononcimin e tij gjatë vizitës në ekspozitë, Berisha vlerësoi figurën e dy intelektualëve të rinj të vrarë nga regjimi komunist.
“Erdha të shpreh nderimin më të thellë për veprën e pavdekshme të dy poetërve të rinj, vëllezër siamez në idealet e lirisë, gjeni në krijimet letrare, Genc Leka dhe Vilson Blloshmi kanë lënë një trashëgimi nga më të shkëlqyerat në poezinë tonë, si në rrafshin artistik ashtu dhe në domethënien e kohës në të cilën ato janë shkruar. Askush nuk ka paraqitur Shqipërinë e diktaturës siç ka bërë Vilson Blloshmi te Saharaja e tij, apo Genc Leka në pozitë e tij. Ato janë diamante në letrat tona, poezitë e tyre mund t’i krahasosh me krijimet më të bukura në letërsinë tonë, përveçse ato kanë brenda guximin e dy të rinjve që i thanë në ballë diktaturës se çfarë ishte ajo. Pa punën e tij nuk do kishim këto vepra. Nuk do të ishim sot këtu në këtë ekspozitë që paraqet me dokumente të gjithë sagën, kalvarin e tmerrshëm që përjetuan këta dy poetë të akuzuar se kishin sabotuar ekonominë bujqësore të fshatit. Dua të shpreh nderimin më të madh për veprat e tyre. Dua të ftoj shqiptarët që të lexojnë poezitë e tyre sepse ato janë poezitë, veprat në të cilët stigmatizohet me forcën më të madhe diktatura komuniste. Në atë forcë që Migjeni ka stigmatizuar mjerimin e kohës. Vilson Blloshmi dhe Genc Leka përshkruajnë kohën e saj në çdo aspekt. Le të shprehim nderimin më të thellë për këto dy gjeni.”, tha Berisha.


