Tre të rinj janë arrestuar nga efektivët e Policisë në Durrës dhe nga Forcat Operacionale teksa po shkëmbenin një sasi kokaine. Në këtë operacion janë sekuestruar 1.1 kg drogë e dyshuar kokainë, një krehër dhe 33 fishekë luftarak.
Sipas Policisë së Durrësit, në bashkëpunim me Forcat Operacionale në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, zhvilluan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Pure drugs”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:
– A. G., 42 vjeç, A. N., 34 vjeç dhe F. D., 20 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”, banues në Durrës.
Gjatë operacionit, në bazë të informacioneve të siguruara se këta shtetas po tentonin të kryenin shitblerjen e një sasie kokaine, shërbimet e Policisë kanë konstatuar në një lokal në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës, këta tre shtetas duke shkëmbyer 1 kg e 113.5 gr. lëndë narkotike të dyshuar kokainë.
Në vijim të operacionit, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit A. N., shërbimet e Policisë kanë gjetur një krehër dhe 33 fishekë. Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi i shtetasve A. G., A. N., F. D. dhe sekuestrimi i lëndës narkotike dhe fishekëve.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje e municionit luftarak” kryer në bashkëpunim.


