Vrasja e studentes Ariela Murati nga ish-i dashuri i saj, duket se ka lënë shije të hidhur dhe të shëmtuar tek opinioni publik i cili ka reaguar në rrjetet sociale, duke fajësuar shoqërinë dhe vendin ku jetojmë.
Pardje u mbajt një homazh nga studentët e tjerë të drejtësisë (fakulteti ku Ariela studionte), për vdekjen e saj të parakohshme që ju shkaktua nga njeriu që thoshte se e donte. Një prej studenteve që mori pjesë në homazh ka shkruar letrën e saj revoltuese për JOQ.al, ku përshkruan jetën e saj si një prej shumë të rinjve shqiptarë që ndeshen me çmimet e larta të studimeve, me shërbime shëndetësore plot mangësi, dhe me një polici që nuk përgjigjet kur duhet. Sipas saj të gjithë heshtin sepse presin që të ngrihen të tjerë.
Vajza e cila preferon të mbetet anonim thotë se gjërat nuk funksionojnë si duhet pasi “nuk ngopen” ata që qeverisin. Ajo kërkon që të paktën të respektohet dhimbja e atij që vuan, pasi nesër mund të “jenë duke klikuar dhimbjen tënde”.
Mesazhi i plotë e studentes:
Dje isha pjesë e homazhit për Arielën, po po, pjesë e atij teatrit, falsitetit apo sido që u cilësua. Po shkuam me zemër për t’i dhënë një lamtumirë të denjë siç e meritonte, po është e vërtetë heshtëm, siç kemi heshtur dje, po hesht një popull i tërë para kësaj makabre që po i bëhet shoqërisë tonë. Marr shkak nga kjo ngjarje, mbase shumë kritikues do thonë nuk flitet me status anonim në Facebook, por dil në shesh të burrave. Kam frikë!
Po, po kam frikë ashtu siç keni ju që fshihni fytyrën pas celularëve dhe luani gishtat. Por gjithsesi unë nuk mërzitem prapë do flas këtu, të shfryj meqë nuk kam mundësi tjetër. Jam një studente e lodhur që duhet të çohet në mëngjes herët për të shkuar në shkollë, nuk ka asgjë për t’u çuditur si kudo nëpër botë apo jo?
Nisem dhe e di çfarë?! Acarohem që në mëngjes me shoferin e autobusit, me faturinon, me paçavuret e shqiptarëve, e as kjo nuk është për t’u habitur. Vazhdon dita me një mësim, i thënçin se as mësim nuk është, por unë paguaj për të, në fakt paguaj një rrogë mujore të babit tim.
Po shto dhe një rrogë për kafet që duhet të pimë se bëjmë nga 3 orë bosh. Gjëra vulgare pa pikë rëndësie. Por e dini që sëmurem ndonjëherë, po nuk iki të vizitohem, do thoni ju qenke budallaqe se e ke falas.
Në fakt po, ishte falas, një dite e provova, ishte falas kontrolli i mjekut me pyetësor. Nejse nuk ka rëndësi, unë nuk u sëmura më se ishin pyetjet shumë efikase.
Po që prindërit e mi paguajnë taksat, tatimet e çdo detyrim ndaj shtetit e dini? Apo jo nuk ka lidhje, ato duhen paguar se do mbushet barku i “atyre”. Mirë, nuk ka gjë, po policia pse nuk funksionon vallë se tani u kujtova.
Nejse nuk ka rëndësi as kjo. E dini, mbase dhe nuk ju intereson kam pasur ideale, kam akoma ideale të thyera por i mallkoj me gjithë shpirt këta që qeverisin, ata që kanë qenë, ju zëntë mallkimi i çdo zemre që është thyer nga kanibalizmi juaj, ngopuni, ngopuni.
Dje me iku një shok jashtë, sot një shoqja ime la shkollën se babi i saj nuk e ka rrogën sa babi im, të dielën më vdiq një shoqe, unë se di (po po duhet të çohem unë të ndryshoj botën, kurse unë po pres të çohesh ti para meje). Dhe një lutje për çdo fytyrë pas celularit, në qoftë se nuk keni mundësi të thoni një mendim të vyer, një fjalë me vend, kursejini.
Për çdo portal, respektoni një nga ndjenjat më të fuqishme, dhimbjen , respektojeni sepse nesër mund të jenë duke klikuar dhimbjen tënde.