Një bari nga Kukësi, i identifikuar si Ekrem Onuzi 45-vjeç është sulmuar nga një ari mesditën e sotme në fshatin Nangë në vendin e quajtur Sasat në Bjeshkët e Gjalicës.
Ai ka qenë duke kullotur nga bagëtitë kur është sulmuar nga ariu i cili i ka shkaktuar plagë të shumta në kokë dhe në trup, por dhe hemoragji.
Kryebashkiaku i Kukësit Safet Gjici ka deklaruar në një lidhje për telefonike për Report Tv se një helikopter ushtarak i Ministrisë së Mbrojtjes është nisur drejt Kukësit dhe për pak minuta pritet të mbërrijë në vendngjarje.
“Është dëmtuar rëndë nga një arushë. Është një çoban. Për punë minutash pritet të ulet në Aeroportin e Kukësit dhe do të shoqërohet nga banorët e zonës drejt vendit ku është bllokuar personi. Ngjarja ka ndodhur rreth një orë e gjysmë më parë. Janë marrë të gjitha masat për ta sjellë të dëmtuarin drejt Tiranës. Ai ka marrë dëmtime të shumta dhe nuk lëviz dot. Është banor i zonës me mbiemër Onuzi. Gjalicia ka shumë kafshë të egra. Nuk është i vetëm. Ka dhe banorë të tjerë atje. Kanë shkuar edhe të tjerët për ta ndihmuar. Kemi bërë të mundur nisjen e helikopterit ushtarak“, u shpreh Gjici.


