Një 76-vjeçar humbi jetën në plazhin e Tales në Lezhë pasi pësoi arrest kardiak. Ai u bë i moshuari i 9-të që humb jetën në plazh si pasojë e sëmundjeve kardiake.
Një tjetër i moshuar humbi jetën në plazh këtë sezon turistik.Viktima është një 76-vjeçar, ndërsa ngarja u shënua në plazhin e Tales.
Ded Fishta, nga qyteti i Shkodrës, ka gjetur vdekjen sapo është futur në ujë dhe nga dyshimet e para dyshohet se vdekja e tij ka ardhur nga arresti kardiak.
Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të përsonelit mjekësor që është vendosur në këtë zonë turistike, i moshuari nuk ka mundur të mbijetojë.
Trupi i pajetë i 76-vjeçarit është dërguar në morgun e spitalit të Lezhës ku do ti nënshtrohet mjekësisë ligjore, e cila do të përcaktoje edhe shkaqet e vërteta të vdekjes së tij.
Ai është viktima e dytë brenda një muaji në plazhet e Lezhës, pasi 2 javë më parë një 18-vjeçar nga Kruja u mbyt në det në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin.
Të hënën, një turist boshnjak, 70-vjeçar humbi jetën për pasojë të një infarkti në plazhin e Durrësit.
Ai ishte pushuesi i katërt që humbi jetën në plazhin e Durrësit këtë sezon për shkak të sëmundjeve kronike të zemrës.
Katër pushues ndërkohë kanë humbur jetën në plazhet e Vlorës për të njëjtat arsye.
Mjekët thonë se për shkak të temperaturave të larta, të moshuarit që vuajnë nga sëmundjet e zemrës janë më të rrezikuar për infarkte.
Ndaj ata këshillojnë që të shmanget ekspozimi në diell gjatë orëve të drekës.


