Një ditë pas ngjarjes së ndodhur tek Ura e Bunës në Shkodër, zbardhet dëshmia e autorit të dyshuar, i arrestuar pak minuta pak krimi. Bardh Isufi i dyshuar për plagosjen e shtetasit Gëzim Bici nuk e ka pranuar plagosjen e 50-vjeçarit. Gjatë marrjes në pyetje në policinë e Shkodrës shtetasi Bardh Isufi ka mohuar se është ai autori.
“Nuk kam lidhje unë me plagosjen. Nuk e kam plagosur unë dhe nuk e di kush e ka bërë. Nuk kam asnjë lidhje me ngjarjen”, mësohet se ka thënë ai.
Mësohet se autori i dyshuar ka folur shumë shkurt sepse avokatet mbrojtës e kanë këshilluar që të mos flasë më shumë.
Nga ana tjetër shtetasi i plagosur Gëzim Bici ka deklaruar se ngjarja ka ardhur nga një konflikt i çastit dhe se autori i plagosjes sipas të dëmtuarit është Bardh Isufi. Policia e Shkodrës nuk e ka gjetur ende armën e krimit që dyshohet se është një pistoletë me silenciator. Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje të ndodhur një ditë më parë në afërsi të urës së re të Bunës. Kjo plagosje dyshohet se ka ardhur për një konflikt pronësie për një ndërtesë që 50 vjeçari i plagosur ka buzë lumit Buna.


