Pak javë më parë, te mbikalimi i Shkozetit mbeti i plagosur Prokurori Arjan Ndoja dhe Aleksandër Laho. Fatkeqësisht nuk i mbijetoi këtij atentati shoferi i prokurorit Andi Maloku.
Ditën e djeshme, disa persona kanë tërhequr vëmendjen e qytetarëve të rastësishëm pranë mbikalimit të Shkozetit në Durrës.
Ata kanë ndaluar me dy makina, kanë nxjerrë një dash dhe e kanë therur. Fiks në këtë vend, më 1 nëntor, iu bë atentat prokurorit Arjan Ndoja, që po udhëtonte në makinë me Aleksandër Lahon i njohur ndryshe si Rrumi i Shijakut dhe shoferin Andi Maloku.
Nga atentati, humbi jetën pas disa ditësh në spital shoferi Andi Maloku, ndërsa prokurori Ndoja dhe Rrumi i Shijakut ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Therja e kurbanit bëhet nga besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit, apo edhe në raste të tjera, kur një person vendos që të therë një kafshë për hir të Zotit që ka arritur një qëllim ose ka shpëtuar nga diçka e keqe.



