Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur në qytetin e Pogradecit, në afërsi të një karburanti.
Në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Tushemishtit”, gjatë një konflikti të çastit, ka mbetur i plagosur me armë zjarri 35 vjeçari Alted Jolldashi, i cili u dërgua në spitalin e Pogradecit për ndihmë mjekësore, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Shkak dyshohet të ketë qenë një konflikt i çastit. Olldashi rezulton i përfshirë në disa incidente dhe disa muaj më parë e kanë goditur përsëri në Pogradec.
Shërbimet e Policisë menjëherë kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur identifikimin e autorit të ngjarjes. Janë ngritur pika kontrolli në hyrje-daljet e qytetit, me qëllim kapjen dhe vënien para përgjegjësisë të autorit të dyshuar.
Grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.


