Zbardhet ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku mbetën të plagosur me armë zjarri nënë e bir. Policia njofton se u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit Ergys Juba 33 vjeç, banues në Peqin.
Mbrëmjen e djeshme, në lagjen nr. 12, Durrës, ka ndodhur një konflikt i çastit për motive të dobëta (për vende parkimi), fillimisht me sende të forta, midis shtetasit Orges Çerma dhe Zyber Juba.
Si pasojë e goditjeve u lëndua shtetasi Zyber Juba, i cili u dërgua në spital për ndihmë mjekësore. Më pas konflikti u përshkallëzua me përdorimin e armës së zjarrit dhe si pasojë mbetën të plagosur nënë e bir.
Fillimisht u dyshua se autor i kësaj ngjarje ishte shtetasi Zyber Juba., por pas hetimeve të shpejta dhe profesionale, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, rezultoi se shtetasi Ergys Juba (i arrestuar), pas konfliktit të ndodhur midis vëllait të tij, shtetasit Zyber Juba. dhe Orges Çerma, ka qëlluar me armë zjarri drejt shtetasit Flamur Çerma, 23 vjeç dhe shtetases Valbona Çerma., 51 vjeçe (e ëma), të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Në vijim të hetimeve është bërë shpallja në kërkim e shtetasve Altin Juba, 34 vjeç (vëllai i autorit) dhe Olsion Nexha, 28 vjeç, pasi rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me shtetasin Ergys Juba, kanë konsumuar veprat penale “Vrasja e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtja pa leje”, si dhe u procedua penalisht shtetasi Orges Çerma. (vëllai i shtetasit Flamur Çerma), për veprën penale ” Dëmtime të tjera me dashje”.
Gjithashtu, në vijim të veprimeve shërbimet e Policisë kanë krehur zonën dhe kanë bërë të mundur gjetjen e armës së zjarrit, të cilën autori pas ngjarjes e kishte hedhur në distancë të largët nga vendi i ngjarjes.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë konflikt.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Vrasja e mbetur në tentativë”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”.


