Dy vëllezër, 19 dhe 23 vjeç, kanë mbetur të plagosur pasditen e sotme në Dibër, pasi janë qëlluar me thikë.
Paraprakisht, bëhet me dije se dy vëllezërit me iniciale A.N dhe D.N janë qëlluar me thikë nga shtetasi me inicialet E.T pas një sherri për motive të dobëta. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Fushë-Bulqizë të Dibrës. Më i vogli i vëllezërve, është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe është nisur me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.
Ndërkohë, vëllai tjetër, 23 vjeç, ndodhet i shtruar në Spitalin e Bulqizës. Policia dhe grupi i hetimit po punojnë për kapjen e autorit, si dhe zbardhjen e ngjarjes.
Bulqizë/ Informacion paraprak
Rreth orës 20.00, në qytetin e Bulqizës, dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta shtetasi E.T., ka plagosur me mjet të mprehtë (thikë) shtetasit D.N., dhe A. N., (vëllezër), të cilët po marrin ndihmë mjekësore në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Pas ngjarjes autori i dyshuar është larguar menjëherë dhe në ndjekje të tij janë vënë forcat e policisë. Grupi hetimor vijon hetimet për zbardhjen e rrethanave të plota të ngjarjes.


