Gjyqtarja Anita Mici e Gjykatës së Apelit Durrës u përball të enjten me pikëpyetje për vendimin e lirimit të ish-kreut të bandës së Durrësit, Lulzim Berisha, si dhe një raport papërshtatshmërie të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ku ngrihen dyshime për favorizimin e një kushëriri të saj të dënuar për trafik të lëndëve narkotike.
Trupi gjykues që po kryen rivlerësimin e gjyqtares Anita Mici përbëhet nga Lulzim Hamitaj kryesues, Brunilda Bekteshi relatore dhe Olsi Komici anëtar. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Branko Hrvatin.
Procesi i vetingut për gjyqtaren Mici ka përfunduar për të tre kriteret, por seancën dëgjimore e dominuan gjetjet për pastërtinë e figurës.
Në seancë u identifikuan dy raste për të cilat Komisioni i ka kërkuar shjegime gjyqares Anita Mici lidhur me rrethanat lehtësuese ndaj të pandehurve. “Ajo ka pohuar se është bazuar në prova dhe në bindje të brendshme,” tha Bekteshi, duke iu referuar mbrojtjes së subjektit.
Komisioni i ka kërkuar shpjegime Micit për vendimin e lirimit me kusht të Lulzim Berishës dhe rekursin e kryer nga prokuroria mbi këtë vendim të Gjykatës së Apelit të Durrësit –ku ajo ishte pjesë e trupës gjykuese. Në shpjegimet për Komisionin, Mici e ka cilësuar vendimin e diskutueshëm si të bazuar në ligj, ndërsa ka pohuar se kërkesa e prokurorit për refuzimin e lirimit të Berishës nuk ishte marrë parasysh.
Bileta e parakohshme e lirimit nga burgu për ish-kreun e bandës së Durrësit, Lulzim Berisha u vulos më 5 dhjetor 2016 nga Gjykata e Apelit Durrës, pas një serie vendimesh të diskutueshme gjyqësore për ulje dënimi, raporteve që e përshkruajnë atë si “të dënuar shembullor” dhe një garanci për punësim të ofruar nga kryebashkiaku Vangjush Dako.
I arrestuar më 6 prill 2006, Lulzim Berisha ka qëndruar fizikisht 10 vjet e tetë muaj në burg nga dënimi i tij prej 25 vitesh.
Sipas relatores Bekteshi, Mici ka shpjeguar se analiza e kryer për riedukimin e tij bazohej në raportet e institucioneve përkatëse, sipas të cilave sjellja e Berishës ishte “shumë e mirë”.
Gjyqtarja Anita Mici argumentoi edhe gjatë seancës dëgjimore se është e drejta e të dënuarit për t’u rehabilituar.
“Prokurori rekurson uljen e dënimit me 45 ditë, por ai vendim është i drejtë. Ulja e dënimit është sinteza e një viti sjellje të mirë. Qëllimi i dënimit nuk është ndëshkimi, por rehabilitimi. Ulja e dënimit tregon se i dënuari ka treguar nivel rehabilitimi. Prokurori e kupton keq ligjin procedurial,” tha Mici në seancë, duke iu referuar qëndrimit kundërshtues të prokurorit.
Relatorja Bekteshi vijoi më tej se Mici kishte mbajtur qëndrime të ndryshme për dy persona të akuzuar korrupsion, pasi njërin e ka dënuar dhe tjetrin jo. Sipas Bekteshit, subjekti ka deklaruar se vendimi i saj ishte i drejtë, pasi është lënë në fuqi edhe nga gjykatat më të larta.
Nga 25 denoncime nga publiku të adresuara kundër gjyqtares Anita Mici, Bekteshi tha se Komisioni ka vlerësuar t’i kërkojë shpjegime vetëm për 8 prej tyre.
Lidhur me denoncimet, Mici pretendoi se denoncuesit dhe ndonjëherë edhe prokurorët nuk kanë njohje të ligjit procedurial.
“Denoncuesit, ndonjëherë edhe prokurori, nuk kanë njohje të ligjit procedurial. Duhet të zbatojmë çdo ndryshim ligjor. Por ndryshimet e ligjit procedurial nuk janë kuptuar nga ankuesit,” tha gjyqtarja Anita Mici.
“Nuk është e thjeshtë t’ia dalësh në të gjitha kompentetët e detyrës së gjyqtarit. Jam përpjekur maksimalisht gjatë ushtrimit të detyrës,” shtoi ajo.


