Më 17 shkurt 2018, milio na shqiptarë dhe miq të Kosovës shqiptare festojnë me krenari fitoren e madhe, fryt i sakrificave mbinjerë- zore të popullit shqiptar kosovar: Pavarësinë e Republikës së Kosovës! Vëllazën, motra shqiptare kudo që banoni: Gëzuar pavarësia e Republikës së Kosovës!
Në atë tokë të djegun nga agresionet e vazhdueshme; për atë popull të vramë e të sakatuem për ma shumë se nji shekull pa mëshirë, lindi liria e meritueme, u fitue pavarësia e dëshirueme me afshin e zemrës dhe me gjakun e parzmës kosovare: sot, nesër e për të gjithë jetën e jetëve! I lirë je o vëlla kosovar, e lirë je o motër kosovare –të pavarun, krejt të pavarun, në shërbim të vullnetit të sovranit, popullit kosovar pa dallim, pa përjashtim. I vrami, i sakatuemi e i coptuemi popull kosovar që sot ngren kokën, falënderon qiellin e përkëdhelë tokën me dashuninë e nji prindi për votrën e tij dhe të parëve të tij, me shekuj e mileniume pa ndërpremje. Gëzohu Kosova shqiptare! E meriton!
* * *
Historia e Kosovës ashtë nji tragjedi e shkruese me gjak, ashtë “nji lum gjaku” i derdhun pa shkak,… gjak viktimash të pafaj!
Që nga fillimi i konfliktit të pafund shqiptaro-serb, 1877- 78, shqiptarët e Kosovës kanë qenë viktima ma e persekutueme në Ballkan. Ushtritë e organizueme serbe e malazeze zhvilluen masakra, sidomos në Kosovë dhe në Shqipërinë Veriore, skena terrori të papame. Masakrat serbomalazeze shoqënoheshin nga nji propagandë intensive për dehumanizimin e shqiptarëve, propagandë e shoqënueme nga thirrje histerike në emën të nji kryqëzate kundër “turqeve” (Çdo ‘mysliman’ quhej ‘turk’ nga serbët). Për dyzetë vjet me radhë (1878-1918), shqiptarët u ndoqën sistematikisht, u poshtënuen nga kjo propagandë çnjerëzuese, e cila i konsideronte “…krijesa të egra, që kalojnë natën në pemë tue lidhë bishtin e tyne në degët e drujve.” (KM serb Vladan Gjeorgjeviq). Gazetari serb përparimtar, Dimitrije Tucoviq, shkruente: “‘Të drejtat historike’ të Serbisë (mbi Kosovën,SR) shkuen edhe ma larg; ata ‘të drejta’ kërkojshin nji Kosovë pa shqiptarë…” Oficeri serb dhe dëshmitar okular, Kosta Novakoviq, zbulonte: “Ekziston dokumentacioni që konfirmon se vetëm gjatë vitit 1912, shqiptarët e masakruem nga ushtria serbo-malazeze arrijnë shifrën 12.777”.
Më 31 dhjetor 1912, The N.Y.Times, me titullin “Nji lum gjaku” raportonte: “
…në marshimin e saj në tokët shqiptare, ushtria serbe nuk u ndal në sulmin e saj mbi popullsinë shqiptare e pa armë dhe pa mbrojtje, mbi pleq dhe mbi gra, mbi fëmijë dhe mbi foshnje të posalinduna. Oficerët serbë, të dehun nga fitoret e tyne (mbi Turqit, SR) deklarojshin se mjeti ma efektiv për paqë- simin e Shqipërisë do të ishte asgjasimi total i myslimanëve shqiptarë. Urdhëni i ditës u adoptue në heshtje nga ushtria serbe e okupacionit dhe u zbatue plotësisht….” “Ka pasë njikohësisht edhe krematoriume barbare ku qindra gra e fëmijë shqiptarë u dogjën për së gjalli… Përsëri u provue se nji lëvizje rebele popullore, qoftë edhe nga fiset ma primitive, ashtë gjithmonë ma shumë njerëzore se praktika e nji ushtrie të organizueme, të cilën shtetet moderne shfrytëzojnë me shtypë rebelimin.”(D.Tucoviq). Shovinistët serbë kanë qenë “Nazistë”.…avant lalettre!
Fondacioni amerikan Carnegie konfirmon:
“….Shtëpi dhe fshate të tana janë reduktue në shkrum e hi, popullsia e paarmatosun dhe e pafajshme shqiptare ikën en masse, dhunë dhe akte të papërshkrueshme, grabitje, brutalitete të çdo lloji- të tilla kanë qenë mjetet që u përdoren dhe që përdoren akovijon nga faqja 1 ma, nga ushtarakët serbo-malazezë, me nji qëllim të caktuem: me ndryshue karakterin etnik të kësaj krahine, të banueme ekskluzivisht nga shqiptarët.” (Report. Carnegie Endowment for Internat. Peace, Washington, DC. 1914).
Kjo valë terrori nuk pushoi mbas mbarimit të L1B, me nji përjashtim. Jehona e krimeve serbo-malazeze tërhoqi vërejtjen e qeverive amerikane dhe britanike. Ndërsa në Paris (Francë) qeveria serbe reklamonte toka tjera shqiptare përtej kufinjve të Kosoves–me premtimin e “misionit qytetnues”(siç!)-në Kosovë vazhdohej pa ndërpremje asgjasimi i popullsisë shqiptare. Më 18 prill 1919, Sekretari i Shtetit amerikan i shkruente kolegut tij në London, Lord A.J.Balfour: “…Ambasada britanike në Washington ka informue Departamentin e Shtetit në lidhje me akuzat e masakrimit të shqiptarëve në Mal të Zi. ‘Gusia, Plava, Peja, Gjakova, Pozhuri dhe Rozhaja kanë qenë skena të terrorizmit dhe të vrasjeve nga ana e ushtrisë serbe dhe agjentëve serbë, qëllimi i të cilëve duket se ka qenë shfarosja (“the extermination”) e popullsisë shqiptare në atë krahinë. Sinqerisht i jueji, Robert Lansing” (The Paris Peace Conference, 1919, vol. XII, 184.018/3).
Ma vonë, gjatë regjimit monarkist jugosllav (1918-1941), shqiptarët e Kosovës nuk u lejuen me hapë shkolla ose qendra kulturore të çdo lloji; as shërbimet mjekësore e sanitare. Të vorfënuem ekonomikisht, dëshpërimi i popullsisë arriti kulmin. Vetëm gjatë viteve 1938-41, rreth 400.000 kosovarë, të uritun e të persekutuem emigruen në Turqi në kërkim të nji jete të sigurt. Diskriminimi dhe persekutimi synojshin me largue popullsinë vendëse dhe me vendosë “kolonët serbë e malazez”. Tokët e shqiptarëve u zaptuen. Bagëtia u sekuestrue ose u ther sistematikisht, taksat u rritën jashtë çdo mundësie për pagesë; dhe akoma ma keq, shqiptarët u banë “free game” (gjuejtje e lirë) për policinë lokale dhe repartet ushtarake, shpjegon Milovan Djilas. Ai shton:
“Ligji ra në dorë të matrapazëve ma të pafytyrë dhe të paskrupullt, të njohun nga të gjithë në të gjithë Jugosllavinë…i gjithë llumi i shoqënisë serbe ekzistonte në trupin administrativ. Ata që dëshirojshin me u pasunue shpejt, mbushën kuadrot e administratës në Sanxhak, Kosovë dhe Maqedoni!”(Memoirs of a revolutionary).
Deputetët shqiptarë në Parlamentin e Jugosllavisë –Nazif Gafurri, Ramë Bllaca dhe Sherif Voca, u vranë….! Akademia Serbe e Letërsisë dhe Arteve përgatiti dy Memorandume (1937 dhe 1944) nga shovinisti Vaso Çubrilovic, dhe nji të tretë nga diplomati serb Ivo Andriq (1941) tue përshkrue metodat ma efektive për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova.
Në prill 1941, me kolapsin e plotë të ishJugosllavisë, Italia fashiste dhe Gjermania naziste pushtuen Kosovën. Nji administratë lokale u ngrit në kambë. Shkolla shqipe u hapën në shumë vende, spitalet filluen me funksionue. Me mijëra vullnetarë ofruen shërbimet e tyne ndërtesës së re shtetnore. Për të parën herë në historinë e Kosovës, banorët e vendit filluen me pranue barrën e detyrës si qytetarë të lirë; ata merrshin në duert e tyne fatin e tyne, në vendin e tyne. Paralel me këtë përpjekje për krijimin e nji administrate vendëse kosovare, nji grup të rijsh kosovarë me tendenca komuniste dhe të nënshtruem ndaj udhëheqësit jugosllav J.B.Tito, filloi nji rezistencë të armatosun kundër nazistëve. Për forcimin e pozitave të tyne politike, në fund të vitit 1943, grupi pro komunist mbajti nji Konferencë në katundin Bujan (Shqipëri) dhe vendosi me avancue kërkesën e tyne për nji “bashkim me Shqipërinë”, nji anatemë për të gjithë jugosllavët e të gjitha rrymave. Ngjarjet që ndoqën gjetën këtë grup, si të vetmin trashëgimtar të pushtetit në Kosovë…për pak kohë! Parimet e Deklarueme të Konferencës së Yaltës (1945) për Europën e Çlirueme nuk u respektuen nga regjimi i ri jugosllav.” Të drejtat e të gjithë popujve me zgjedhë formën e qeverisë nën të cilën ata dëshirojnë me jetue…, nuk u përfill. Para nji situate të këtillë, lufta e kosovarëve mori nji formë e dimension tëri: lufta për të drejtat demokratike, zgjedhje të lira, në radhë të parë…. Kjo nuk ngjau edhe për faktin se Shqipëria, atdheu nanë, përqafoi nji qëndrim servilizmi ideologjik e politik të neveritshëm ndaj pushtuesve jugosllavë. Kërkesës së Presidentit Roosevelt të shqyrtohet e ardhmja e Shqipërisë, Kryeministri britanik, Winston Churchill u përgjigj:
“Unë mendoj se duhet të insistojmë mbi Greqinë dhe jo mbi Shqipërinë sepse Enver Hoxha ashte nji shërbëtor besnik i komunistëve jugosllavë; prande nuk jemi në gjendje me ndërmarrë nji hap në këtë drejtim pa dijeninë e Titos.” (Zeri-Prishtinë, 9 shkurt 1991, f.6)).
Në nandor 1944, forcat komuniste të Marshalit Tito pushtuen me forcë Kosovën, që rezistoi me guxim të madh në nji luftë që nuk mund të fitohej. Ushtrimi i dhunës së fortë që komunistët jugosllavë përdorën në Kosovë shkaktoi nji kryengritje të armatosun, që zgjati afër 6 muej. Rreth 30.000 shqiptarë morën malet të vendosun me mbrojtë premtimet e bame në kohën e luftës: për vetëvendosje mbas disfatës naziste. Besohet se numri i të vramëve shqiptarë arriti 30-40.000 për vitet 1944-48.
Në këto kondita, terrori u vendos që Kosova të mbetet njisi autonome “pjesë përbamëse e Republikës Popullore të Serbisë” (Prizren, korrik 1945). Ka arsye me besue që kjo “autonomi”që zhgënjeu shqiptarët, ka qenë bërthama e shtetit të ardhëm të Kosovës.
Që nga fillimi deri në ditën e çlirimit të Kosovës nga zgjedha serbe (qershor, 1999) ballafaqimi në mes të dy palëve të kundërta mori përpjesëtime përherë rritëse, me rritjen e represionit serb e jugosllav, “… që përdorën masa ekstreme, që në shumë raste ndryshuen shumë pak nga masat e përdoruna prej autoriteteve te okupatorit gjatë luftës”. (Paul Shoup) Këto metoda represive u banë publike, veçanërisht mbas demaskimit të kriminelit serb A. Rankoviq (1966), shef i Policisë Sekrete serbe.
Që nga ajo datë, shpresat dhe aspiratat e ushqyeme nga shqiptarët kosovarë filluen me marrë nji formë ma të konkretizueme dhe treguen veten me demonstrata dhe aktivitete të hapta kundërshtare, në kërkim të nji identiteti politik të pranueshëm e të njohun, eventualisht me pavarësi nga zgjedha serbe, megjithëse akoma si njësi me të drejta të barabarta në Federatën Jugosllave. (Kushtetuta e vitit 1974) Demonstrata popullore dhe studenteske treguen se situata po keqësohej shpejt dhe se zgjidhjet pjesore të problemit kishin konsumue kohën e tyne. Rruga ishte tashmë e hapun për nji rezistencë, që kërkonte pavarësinë e plotë të Kosovës.
Kjo lëvizje për pavarësi të plotë u drejtue me dinjitet e guxim nga klasa intelektuale e Kosovës, me nji udhëheqës paqësor e këmbëngulës, Dr.Ibrahim Rugova, apostull i rezistencës aktive e paqësore, ma vonë President i Republikës së Kosovës (1992)-(Unë pata fatin e madh me e njohë dhe me bashkëpunue). Krahas tij, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe “Qeveria kosovare e përkohshme në emigrim”-Dr.Bujar Bukoshi Kryeministër- mbushën mungesën e madhe të nji strukture shtetnore të “shtetit” në lindje…!
Në vitin 1995 përfundoi Konferenca e Dayton-it (SHBA) për zgjidhjen e problemit të Bosnje-Hercegovinës. “Problemi kosovar” u anashkalua me rezultate katastrofike për shqiptarët. Lindi nevoja për nji rezistencë ma të fortë, qoftë edhe me mjete jo-paqësore, që të bindnin bashkësinë ndërkombëtare se “problemi kosovar” duhet të trajtohet menjiherë dhe seriozisht. Në Kosovë, doli në skenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), kryesisht e rinisë, e cila ngjalli nji entuziazëm tëri mbrenda dhe jashtë Kosovës. Me zhvillimin e ngjarjeve, aksioneve ushtarake dhe nji fushate të fortë propagandistike nga të dyja palët e rezistencës kosovare, sidomos në SHBA dhe Europë, “problemi kosovar” zuni vend në tryezat diplomatike. Në Kosovë, vrasja barbare e 51 anëtarëve të familjes Adem Jashari (Prekaz,Mars, 1998)- simbol i rezistencës se armatosun- dhe ofensiva serbe që detyroi ma shumë se nji milion kosovarë me u arratisë në vendet fqinje, kryesisht në Shqipëri, krijoi nji atmosferë urgjente për zgjidhjen e problemit.
Serbët sulmuen katundin Reçak dhe “masakruen” mizorisht 45 fshatarë (njeni 12- vjeçar!).Gjendja e krijueme detyroi Fuqitë e Mëdha me ndërhye. Në Rambouillet (Francë) Sekretarja e Shtetit, M.Albright dhe ambasador R. Holbrooke organizuen nji Konferencë për shqiptarët dhe serbët, pa rezultate të dukshme. Megjithatë, kosovarët formuen nji qeveri koalicioni nën drejtimin e Hashim Thaçit, udhëheqës politik i UÇK-së. Kosovarët u kthyen përsëri në Paris (15 mars 1999) mbasi u pranue formula se “vullneti i popullit” don të thotë “referendum”, praktikisht pavarësi për shumicën dërmuese shqiptare të Kosovës.
Nji tentativë e fundit për nji zgjidhje të problemit u ba në mars 1999, pak ditë para bombardimit të NATO-s. Gjenerali amerikan Wesley Clark, komandant i forcave të NATOs, gjatë nji vizite në Beograd me bindë Presidentin serb Millosheviq të hiqte dorë nga persekutimi i kosovarëve, pati këtë dialog:
-Milosheviq: Gjeneral, përse kujdesoheni kaq shumë për shqiptarët? Na e lini neve këtë problem…. Na dijmë si ta zgjidhim. E kemi ba edhe ma parë.
-Gjen. Clark: Si mendoni ju me e zgjidhë, z. President?
-Milosheviq: Na i vrasim të gjithë…!
-Gjen. Clark: Z. President, ashtë pikërisht kjo që na nuk do të lejojmë…” (Nga kujtimet e Gjen. Wesley Clark) Serbët refuzuen pjesëmarrjen në bisedime.
NATO filloi bombardimin 78-ditor deri në disfatën serbe. Gjatë këtyne 78 ditëve:
“…paramilitarët serbë, shumica e të cilëve ishin persona të liruem nga burgu me konditë që të sherbejshin në ushtri, u lëshuen rreth e rrotull Kosovës tue vra, grabitë, dhunue dhe djegë shtëpitë e boshatisuna…. Nji nga pikësynimet e Milosheviqit duket se ka qenë dëbimi i sa ma shumë shqiptarëve kosovarë, që të ishte e mundun.” (Tim Judah)
Bombardimi i NATO-s u ndal më 10 qershor 1999 dhe trupat e NATO-s hynë në Kosovë. Kosovarët u kthyen në vatrat e shkrumueme. Numri i viktimave civile kosovare tejkalon shifrën 12.000! Ma shumë se 2.000 femna shqiptare u dhunuen….!
“Ata kurrë mos u harrofshin / Në kangë e në valle, por u këndojshin!” (A.Gj.Fishta) Jashtë Kosovës, shqiptarët pa dallim u mobilizuen dhe ndërmorën iniciativën me paraqitë “problemin kosovar” para Botës së Lirë dhe diplomacisë ndërkombëtare, kryesisht amerikane. Kongresi amerikan kaloi shumë Rezoluta me thirrje për ndalimin e terrorit në Kosovë. Ambasadori W.E.Ryerson e vlerësoi këtë veprimtari të diasporës shqiptare në Amerikë si vijon:
“…Pa dyshim, krediti për çlirimin e Kosovës ashtë i Sekretares M.Albright për sensin e saj me njohë të drejtën dhe për aftësinë e saj me bindë bosin (Presidentin Clinton SR) dhe kolegët e saj me veprue e jo vetëm me fërkue duert. Megjithatë, ajo nuk do të kishte dalë fituese sikur ju dhe të tjerët si ju, të mos kishin punue me durim për edukimin e publikut amerikan, dhe ma me randësi, me edukue udhëheqësit tanë politikë, mbi seriozitetin e problemit që krijohej nga shtypja serbe e shqiptarëve (në Kosovë). Ju keni të drejtë me qenë kryenaltë për sukseset e jueja. Ju nuk e kryet këtë shërbim vetëm, por unë dyshoj se pa përpjekjet e jueja të gjata, udhëheqësit politikë amerikanë do të kishin veprue ashtu si vepruen.”
(Letter. Ryerson to Repishti, 5 shtator 2001)
Narrativa e jonë ka pasë tri boshte kryesore: a) dokumentimin e krimeve serbe në Kosovë me saktësi e hollësi, b)kërkesën urgjente që këto krime të ndalohen dhe c)pavarësinë e Kosovës si nji domosdoshmëni historike. Puna e jonë u kunorëzue me sukses! Nji proces i gjatë i mbarështrimit dhe ringjalljes ekonomike të strukturës kosovare me ndihmën e UNMIK-ut filloi në Kosovë, me hedhjen e hapave të parë të shtetit/protektorat i OKB-së të Kosovës. Më 17 shkurt 2008,”protektorati” mbaroi dhe u shpall zyrtarisht Republika e Kosovës, shtet i lirë, i pavarun dhe demokratik, sot i njohun nga 115 shtete të botës.
******
Ashtë nji ironi e hidhun e historisë së popullit kosovar: çdoherë që serbët kanë paraqitë “zgjidhje” për problemin kosovar, ata kanë përdorë të njajtin “ilaç”: “shfarosjen fizike të shqiptarëve në Kosovë”, shprehje që na kujton holokaustin e Luftës 2 Botënore dhe krematoriumet. Nji mendje normale nuk ashtë në gjendje me konceptue e nji zemër njerëzore nuk ashtë në gjendje me perballue… e ndoshta as me falë këtë qendrim kaq antinjerëzor! E megjithatë, vetëm pak ditë ma parë, ministri serb i mbrojtjes deklaroi se Serbia ka blerë raketa që arrijnë “edhe cepin ma të largët të Kosovës” Shfarosje? Përsëri shfarosje? Ky ashtë sot trashëgimi i tmerrshëm historik i Kosovës. Kjo ashtë panorama që përballojnë sot kosovarët!
Vitet e fundit mbas pavarësisë (2008-2018) kanë qenë vite të vështira për ndërtimin e shtetit tëri. Pa eksperiencë në qeverisje, pa kuadro të nevojshme për administrimin e vendit, pa të ardhuna të mjaftueshme me përballue nevojat e shoqënisë kosovare, udhëheqja kosovare ka ra viktimë e ndasive partiake, bindjeve politike të ndryshme dhe frymës agresive të elementit “luftarak”. Rezultati ka qenë mbrapambetja e Kosovës në fushën politike, ekonomike, arsimore e kulturore dhe smundja e korrupsionit të pafre… kapitalizëm pa mend me fluturim në dëfrime! Shoqënia kosovare jeton sot me mungesa të mëdha dhe funksionon në nji atmosferë të padëshirueshme. Me gjithë të metat objektive që pengojnë zhvillimin, ashtë përshtypja e përgjithshme se “fajtori” kryesor ashtë faktori “njeri” dhe se shqiptarët në Kosovë nuk kanë gjet akoma rrugën e duhun e vullnetin e fortë me tejkalue apelin ideologjik, për hir të interesave kombëtare, sidomos atë të bashkimit shpirtënor sot e politik nesër…… Nji qëndrim i këtill ashtë veçanërisht i theksuem në ditët e krizave politike të njimbasnjishme, që Kosova kalon me dame të pallogaritshme për vendin. Në këto momente grindjet ideologjike janë krejtësisht të dorës së fundit dhe nji luks që nuk i nevojitet Kosovës…, varrezë e mijërave dhe shtëpi e vorfnueme e dy milionë qytetarëve.
Ashtë përshtypja e përgjithshme se Kosova duhet të krijojë nji identitet kolektiv gjithë- kosovar (jo krahinor!), nji besim të përbashkët për të ardhmen, nji bindje që synon bashkimin e të gjitha forcave të vendit. Ideja e bashkësisë ka peshën e vet magjike. Nji identitet i këtillë duhet të jetë modern, përtej vlerave tradicionale, diçka e re dhe e ndryshme. Ashtë nji thymje me të kaluemen e ngushtë patriarkale, diçka inteligjente dhe krijimtare, qoftë edhe vlerë e marrun nga kulturat tjera.
Synimi i demokracisë liberale në shoqëninë kosovare duhet të jetë “ndihma” për popullin që kërkon kontrollin e jetës së individit nga individi vetë, e mbrojtjes së tij kundër efekteve të kolektivizimit absorbues. Ky fuqizim individual ashtë versioni modern i pavarësisë. Struktura shtetnore ekziston vetëm e vetëm me mundësue potencialin maksimal të pjesëtarëve të shoqënisë. Asgja ma shumë!
Ashtë përshtypja e përgjithshme se demonizimi i kundërshtarit në Kosovë ashtë antidemokratik, elementi ma damtues i shoqënisë kosovare. Na duhet nji Kosovë që ndërton të ardhmen e lirë nga hijet e zeza të së kaluemes tragjike.(sous peine demort!)
Unë mendoj se përparimi i “shtetit” dhe “shoqënisë” kosovare do të vijë vetëm kur çdo qytetar kosovar do të dëshirojë të ardhmen e fëmijëve të vet ma shumë se urrejtjen për kundërshtarin….
Dhe këtë ditë e uroj me gjithë shpirt. Dhe jam përsëri optimist! Nji botë premtuese pret popullin e Kosovës; le ta përqafojmë!
*Dekoruar nga Presidenti Rugova, me “Medaljen e Artë, Lidhja Shqiptare e Prizrenit” (2003). Bashkëthemelues dhe presidenti i parë i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (1996-98)