Ka mbërritur në Tiranë pas një peripecie jo të vogël, ish ministri i Mbrojtjes Luan Hajdaraga i cili ka pësuar sot një sulm kardiak në zonën Maqedonase të doganës së Qafë Thanës. Nga aty, është dhënë me shpejtësi maksimale ndihma e parë dhe është dërguar me urgjencë drejt spitalit të qytetit të Ohrit pak kilomentra më tutje.
Lajmi konfirmohet për Alpenews.al nga Ilir Xhakolli, deputeti i PS i qarkut të Korçës i cili ka qenë personi i parë i kontaktuar nga autoritetet e doganës. Xhakolli saktëson se dhënia në kohë rekord e ndihmës së parë, ka bërë që mjekët maqedonas të jepnin dakordësinë e tyre që Hajdaraga të lëvizte më pas me një ambulancë me aparatura të posaçme dhe në prani të mjekëve drejt qytetit të Prrenjasi, ku e priste një helikopter.
Ka qenë kryetari i grupit parlamentar të PS Taulant Balla që është kujdesur në Tiranë, që nisja dhe mbërritja e helikopterit për urgjencën shëndetësore të ish ministrit të Mbrojtjes dhe ish deputetit socialist, të bëhej në kohë rekord.
Helikopteri ka mbërritur ndërkohë në Tiranë dhe do të jenë mjekët e spitalit ata që do të përcaktojnë se si do veprohet më tej në lidhje me stabilizimin përfundimtar të goditjes kardiake që ka pësuar Hajdaraga.
Luan Hajdaraga është pedagog dhe jep mësim rregullisht prej disa vitesh në një nga universitetet në Maqedoni. Ky ka qenë edhe qëllimi i këtij udhëtimi nga ana e tij edhe këtë radhë. Ai ka qenë duke udhëtuar për rikthimin në Shqipëri gjatë mëngjesit të sotëm kur ka pësuar goditjen e parainfarktit në zonën maqedonase të Doganës së Qafë Thanës. Aktualisht gjendja e tij shëndetësore është stabilizuar dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve në Tiranë.
Përgatiti: Alpenews.al


