Për ish Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla, pas mbi dy javësh hetimesh zyrtare e intensive nga ana e Prokurorisë së Durrësit, pas grumbullimit të një pjese të mirë të provave dhe fakteve, kanë marë formë edhe akuzat e para ndaj tij.
TRE AKUZAT
Deri tani janë tri akuza që janë përpiluar ndaj Llallës pas provave, dokumentave dhe dëshmive të mara në këtë fazë të hetimit.
Së pari, ai po hetohet për akuzën e “pastrimit të produkteve të veprës penale” parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.
Neni 287 – Pastrimi i produkteve të veprës penale
1. Pastrimi i produkteve të veprës penale i kryer nëpërmjet:
a) këmbimit ose transferimit të pasurisë, që dihet se është produkt i veprës penale, për fshehjen, mbulimin e origjinës së pasurisë ose dhënien e ndihmës, për të shmangur pasojat juridike, që lidhen me kryerjen e veprës penale;
b) fshehjes ose mbulimit të natyrës, burimit, vendndodhjes, vendosjes, zhvendosjes së pronësisë ose të të drejtave të tjera, që lidhen me pasurinë që është produkt i veprës penale;
c) kryerjes së veprimeve financiare dhe transanksioneve të copëzuara për shmangien nga raportimi, sipas ligjit për pastrimin e parave;
ç) shfuqizuar;
d) këshillimit, nxitjes ose thirrjes publike për kryerjen e secilës prej veprave të përcaktuara më sipër;
dh) përdorimit dhe investimit në veprimtari ekonomike ose financiare të parave ose sendeve, që janë produkte të veprave penale, dënohen me burgim nga tre deri në dhjetë vjet dhe me gjobë nga 500 mijë lekë deri në 5 milionë lekë.
2. Kur kjo vepër kryhet gjatë ushtrimit të një veprimtarie profesionale, në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga 800 mijë lekë deri në 8 milionë lekë, ndërsa kur ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga 3 milionë lekë deri në 10 milionë lekë.
3. Dispozitat e këtij neni zbatohen edhe në rastet kur personi, që ka kryer veprën prej së cilës burojnë produktet e veprës penale, nuk mund të merret i pandehur, nuk mund të dënohet, ekziston një shkak që e shuan veprën penale ose mungon njëri nga kushtet e procedimit penal për një vepër të tillë.
Së dyti, ish Prokurori i Përgjithshëm po hetohet për fshehje pasurie.
Neni 257/a – Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë
Refuzimi për deklarimin ose mosdeklarimi i pasurisë së personave të zgjedhur ose nëpunësve publikë sipas ligjit, kur më parë janë marrë masa administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në 6 muaj.
Fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.
Së treti, Adriatik Llalla akuzohet për deklarim të rremë të pasurisë.
Këto tri akuza janë ngritur mbi bazën e të dhënave që gjenden në dosjen e ish Kryeprokurit që ndodhen tashmë në duart e hetuesve të çështjes që ndodhet tashmë në duart e Donika Prelës, në Prokurorinë e Durrësit.
Tri dosjet kundër Adriatik Llallës janë;
1.- DOSJA Shqiptare që përbëhet me prova që janë dërguar pranë Prokurorisë së Durrësit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (shkalla e parë e vettingut) e cila hetoi për Llallën për disa muaj me radhë. Duke qenë se ai u tërhoq nga sistemi i Drejtësisë, procesi i vettingut ndaj tij u ndërpre, por materialet e grumbulluara për të, bashkë me provat faktet, iu dërguan prokurorisë Durrës.
Njotimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit:
“Ju vëmë në dijeni se dosja e këtij subjekti, pas përfundimit të procedurave nga ana e KPK-së, i është vënë në dispozicion Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës më datë 15 Mars 2018, pas kërkesës nga ana e këtij organi”.
KPK ka ndërprerë Vettingun për ish kreun e akuzës, pas dorëheqjes. Prokuroria e Durrësit me drejtuese znj. Donika Prela, ka nisur hetimet për ish-prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla dhe ai do të hetohet për veprën penale të pastrimit të parave.
Dosja sekrete e “vettingut” që iu vu në dispozicion të hetuesve përmban:
Deklaratat e pasurisë së Adriatik Llallës të bëra ndër vite, pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë.
Gjithashtu kartelat e pasurive të paluajtshme që ai ka deklaruar në Hipoteka dhe të gjitha transaksionet që janë kryer me këto pasuri.
2.- DOSJA Amerikane për Adriatik Llallën.
Në 15 shkurt të këtij viti, “Zëri i Amerikës njoftoi:
“Departamenti i Shtetit i ndaloi hyrjen në Shtetet e Bashkuara ish Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë Adriatik Llalla. Vendimi, i bërë publik thekson se Sekretari i Shtetit Rex Tillerson, e miratoi masën e ndalimit për shkak të përfshirjes së ish zyrtarit shqiptar në raste të mëdha korrupsioni.
Ligjet amerikane parshikojnë që në rastet kur ka informacione të besueshme se zyrtarë të huaj përfshihen në raste madhore korrupsioni, ose në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, këtyre individëve dhe familjes së tyre të afërt, u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara. Ligji po ashtu parashikon që Sekretari i Shtetit ka të drejtë që sanksionet ndaj këtyre individëve dhe familjeve të tyre, t’i miratojë privatisht ose publikisht.
Përveç zotit Llalla, Sekretari Tillerson ka miratur ndalimin e hyrjes në Amerikë edhe të bashkëshortes së tij Ardjana Llalla, të vajzës Eni Llalla dhe një fëmije tjetër të tij, që nuk ka shtetësinë amerikane.”
Të gjitha provat dhe të dhënat mbi bazën e së cilës është marë ky vendim i kanë kaluar Prokurorisë së Durrësit.
3.- Dosja Gjermane për ish Kryeprokurorin.
Megjithëse më pak e njohur, mendohet se është edhe më kompromentuesja për Llallën, për shkak të disa lidhjeve dhe investimeve të errëta, të evidentuara vitet e fundit nga shërbimet partnere, për shkak se ai dhe familja e tij jetojnë të ndarë mes Gjermanisë dhe Tiranës.
Përgatiti: Alpenews.al


