Adriatik Llalla është tashmë i mbërthyer nga dy anët e “morsetës” së institucioneve me të tëndësishme të hetimit në Shqipëri. Nga njëra anë ai ështe prej javësh tashmë zyrtarisht nën hetim për tri vepra penale përfshi pastrimin e parave të pista, fshehjen e pasurisë dhe mosdeklarim të saktë të saj. E nga ana tjetër Kolegji i Posaçëm i Apelimit menjëherë pas kërkesës së Komisionerit Publik, është vënë në lëvizje për ish Kryeprokurorin që ti nënshtrohet vettingut si të gjithë pjestarët e tjerë të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, pavarësisht se ai tentoi me anë të manovrës së dorëheqjes, ti shpëtonte asaj.
Pas kësaj, laku për Llallën është ngushtuar aq shumë sa ora e përballjes së tij finale me drejtësinë është duke trokitur. Ish Prokurori i Përgjithshëm përflitet që mund të jetë “Peshku i Madh” i parë që mund të bjerë në rrjetën e drejtësisë së re. Një hap pas tij ndodhet një tjetër bashkëpunëtor shumë shumë i ngushtë i tij gjatë kohës që kanë drejtuar sëbashku Prokurorinë e Përgjithshme.
16 MARS 2018
ZYRTARE/ Ish Prokurori i Përgjithshëm ADRIATIK LLALLA, nën hetim
Ish Prokurori i Përgjithshëm i Republikës, Adriatik Llalla është vënë nën hetim për veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale, të parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal të Shqipërisë, fshehje të pasurisë dhe deklarim i rremë të saj.
Hetimet po zhvillohen nga Prokuroria e Durrësit, si prokuroria më e afërt gjatë kohës kur Llalla ishte në krye të organit të akuzës në Tiranës. Ky është parashikimi ligjor për raste të tilla për të shmangur konfliktin e interesit dhe nepotizmin.
Hetimet janë fokusuar tek zbardhja e të gjitha pasurive të deklaruara ose jo nga ana e z. Llalla, mbi aferat dhe skandalet e pronave të bëra publike kohët e fundit nga mediat, tek jeta superluksoze e familjes Llalla, nga hetimi i bërë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ose shkalla e parë e vettingut një proces i ndërprerë pak kohë më parë me kërkesë të vetë ish Kryeprokurorit.
Nga ana tjetër, i është kërkuar ndihmë FBI dhe Departamentit Amerikan të Shtetit, të cilat po sjellin provat dhe faktet e tyre kundër Llallë, me anë të të cilave morën edhe vendimin për ti ndaluar hyrjen në SHBA katër pjestarëve të familjes Llalla.
Eshtë hera e parë në historinë e Shqipërisë që një ish Prokuror i Përgjithshëm vihet nën hetim për akuzën e rëndë të pastrimit të parave të pista, një akuzë pothuajse e paralajmëruar nga Departamenti Amerikan i Shtetit kur e motivoi futjen e familjes Llalla në listën e saj të zezë me përfshirjen në raste të mëdha korrupsioni të ish Kryeprokurorit, gjatë kohës që ka qenë në këtë detyrë.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i ka vënë në dispozicion Prokurorisë së Durrësit në 15 Mars dokumentat e procesit të rivlerësimit për Adriatik Llallën.
“Ju vëmë në dijeni se dosja e këtij subjekti, pas përfundimit të procedurave nga ana e KPK-së, i është vënë në dispozicion Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës më datë 15 Mars 2018, pas kërkesës nga ana e këtij organi”, njofton Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
KPK ka ndërprerë Vettingun për ish kreun e akuzës, pas dorëheqjes. Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet për ish-prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla dhe ai do të hetohet për veprën penale të pastrimit të parave.
Në dispozicion të hetuesve do të vihen deklaratat e pasurisë së Adriatik Llallës të bëra ndër vite, pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë. Gjithashtu kartelat e pasurive të paluajtshme që ai ka deklaruar në Hipoteka dhe të gjitha transaksionet që janë kryer me këto pasuri.
Çka ndodhur SOT?
Kolegji i Posaçëm Apelimit ka marrë në shqyrtim çështjen e dorëzuar nga Komisioneri Publik, ku kërkohet që ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla t’i nënshtrohet vettingut.
Ky proces ndaj Adriatik Llallës u ndërpre nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pas dorëheqjes së ish-kryeprokurorit nga e drejta për t’u emëruar gjyqtar apeli dhe rrjedhimisht nga i gjithë sistemi i drejtësisë.
Verdikti u mor në atë kohë nga trupi gjykues i KPK me kryesues Roland Ilia dhe anëtarët Pamela Qirko dhe Olsi Komçi. Por, ky është rezultat i njëjtë sikurse edhe ai i një trupe tjetër gjyqësore të KPK, e cila po për shkak të dorëheqjes si gjyqtar kushtetues i ndërpreu vettingun edhe Besnik Imerajt.
Shtegu për dorëheqje në çdo kohë, që do të thotë shpëtim nga vettingu u hap pikërisht nga Gjykata Kushtetuese gjatë interpretimit të ligjit të rivlerësimit.
Menjëherë pasi vendosi të marrë në shqyrtim ankimimin e Komisoinerit Publik, ku kërkohet që Llalla t’i nënshtrohet Vettingut, Kolegji i Posaçëm i Apelimit hodhi shortin për caktimin e trupit gjykues, kryesuesin e këtij trupi dhe relatorin e çështjes.
Dosjet e të dorëhequrve dhe të të papërshtatshmëve arkivohen, por nëse kërkohen nga prokuroria, atëherë ata i nënshtrohen edhe kontrollit penal.
Largimi i Llallës nga drejtësia solli menjëherë reagimin e ambasadorit amerikan, i cili në një postim në Twitter kujtonte se askush nuk mund t’i shpëtonte drejtësisë.
Përgatiti: Alpenews.al


