Alfred Peza
Festa e djeshme e 15 vjetorit të krijimit të Televizionit News 24, të jep shkas për tu fokusuar tek një traditë e munguar deri dje e biznesit privat shqiptar, për të fiksuar dhe festuar historinë. Një histori e re ende çerek shekullore, ku gjithkush duket se po vrapon nxitimthi drejt së ardhmes, duke kërkuar ethshëm rrënjët e të shkuarës. Duket paksa paradoksale si formulim, por është një tendencë reale, jo vetëm në marrëdhëniet private të biznesit dhe ekonominë e tregut të lirë, por edhe në jetën sociale e shoqërore të shqiptarëve. Shenjë e sigurtë se duke u kujdesur për të sotmen, ne po kujdesemi jo vetëm për atë që do vijën nesër, por edhe për atë që ne do të trashëgojmë e do të kemi mundësi që ti tregojmë nesër brezave.
Cikili i festimit të përvjetorëve të sipërmarrjeve të ndryshme, ka një histori ciklike, sipas spirales së lindjes, rritjes dhe konsolidimit të secilës. Pas 1990, fillimisht u privatizuan shërbimet e vogla tregëtare, dyqanet, ndonjë punishte, apo edhe ndonjë ndërmarrje që vështirë ti ketë rezistuar deri sot kapitalizmit tonë të egër, bazuar tek importet jo vetëm të lëndëve të para, por mbi të gjitha të produkteve të gatëshme. Më pas erdhi tregëtia e mallrave me shumicë e pakicë, për të vijuar dalëngadalë me linjat e para të prodhimeve jetike për të përditshmen. E më pas, erdhën materialet e ndërtimit, industria e ndërtimit, turizmi, agrobiznesi, fasoneria, linjat e prodhimit, e deri më sot tek fabrikat, hidrocentralet, komplekset rezidenciale, qendrat e biznesit, e kështu me radhë.
Në media, cikli është më i thjeshtë për tu shpjeguar, sepse ka qenë edhe më i prekshëm për të gjithë. Duke filluar nga gazetat e para private, krahas atyre partiake, për të vijuar më vonë me revistat, radiot, televizionet dhe tani me mediat online. Sigurisht që “industria e rëndë” e pushtetit të katërt jo vetëm në Shqipëri, janë televizionet private. Ndoshta kjo situatë duket se do të mbetet kështu edhe për disa vite të tjera, për aq kohë sa transmetimet televizive në internet, nuk kanë të njëjtin hop me shpërthim në treg, si edhe ëordpress-i i cili pothuajse po e çon drejt vdekjes klinike, shtypin e shkruar edhe në tregun tonë.
Televizionet e para private i kanë lëshuar sinjalet e tyre të para televizive prej 20 vjetësh, ndërkohë që nga logot e para që u bënë edhe pionieret e kësaj media, pothuajse asnjëhera nuk ia ka dalë ti mbijetojë konkurencës në treg. Edhe emisioni “Opinion” i Blendi Fevziut, që transmetohet në TV “Klan”, e që festoi 20 vjetorin pak javë më parë, e ka patur startin në ekranin e televizionit publik shqiptar TVSH. Duke u bërë jo vetëm emisioni më jetëgjatë i debatit politik televiziv, por edhe nga të paktat raste, kur një emison është më i vjetër sesa vetë televizioni ku ai transmetohet.
TV “Klan” vetë nuk mbaj mend që të ketë krijuar ndonjë traditë të festimit të përvjetorëve të themelimit. Jo edhe aq për faktin se nuk ka se çfarë të festojë, por ndoshta për neglizhencë ose bestytni të pronarit të saj të vetëm sot, sesa për mungesë memorie. Aleksandër Frangaj ndryshe nga disa botues të tjerë që kanë qenë djepi dhe varri i mediave të tyre, ia ka dalë deri tani, që të jetë jo vetëm djepi por edhe shtrati i ngrohtë i medias e cila është një nga kanalet e pakta televizive kombëtare në këtë vend dhe me shifra të lakmueshme shikueshmërie në treg.
Ndryshe nga TV “Klan”, kanali tjetër i rëndësishëm televiziv shqiptar “Top Channel” ka festuar pak më parë 15 vjetorin e krijimit me pompozitetin dhe krenarinë e ligjshme që të jep trashëgimia e një perandorie që ka ndikuar jo pak në rritjen e standarteve profesionale e teknologjike në mediat e sotme shqipfolëse. Pak ditë më parë, Televizioni “Ora News” që futet tek gjenerata e dytë e mediave televizive private, festoi 10 vjeotrin e themelimit. Ç’farë tregon se transmetimet televizive në Shqipëri kanë jo vetëm jetëgjatësi por edhe një histori për të treguar dhe për të trashëguar. Në këtë atmosferë festimi përvjetoresh, u zhvillua edhe ceremonia e 15 vjetorit të themelimit të televizionit të parë informativ shqiptar, “News 24”. Si për të treguar, se tashmë ekranet shqiptare zotërojnë veç viteve e traditës që ajo krijon, por edhe arkiva të pasura, që janë një ndër asetet më të vyera të një media, krahas burimeve të tyre njerëzore.
Tani gara e mediave në përgjithësi por edhe e vetë televizioneve, po zhvendoset dalëngadalë në internet. Çdo gazetë, çdo revistë, çdo televizion ka jo vetëm ëebsiten e saj, por edhe çdo produkt mediatik, çdo emision e personazh televiziv, kanë ëebsiten e tyre gjithashtu, krahas facebook-ut, intsagram-it, apo tëitterit të vet. Si një mungesëi e re, për të përhapur dhe çuar në kohë reale tek çdo qytetar, informacionin e vet, duke shfrytëzuar në këtë mënyrë çdo mundësi, çdo fije dhe kanal të ri si mundësi komunikimi. Lufta tani nuk është më si dikur, se kush e kush është më i madh me godina, makina, kamera, antena dhe studio. Por kush e kush shihet më shumë, shpërndahet më shumë, mer like dhe share më shumë. Një luftë e re, që nuk e sheh si problem, e aq më pak si barrë të vjetrën, historinë, vitet mbi kurriz. Përkundrazi, e sheh si një vlerë të shtuar. Si shenjë besueshmërie, jetëgjatësie, rezistence, mbijetese dhe vlere të shtuar përballë mungesës së përvojës së mediave të reja që hapen çdo ditë, me një shpejtësi e lehtësi të paimagjinueshme kurrë më parë.
Nëpër këtë rrugë që po kalon biznesi privat sot, kanë kaluar më parë të gjitha shoqëritë me më shumë histori në marrëdhëniet kapitaliste në prodhim, me ekonomi tregu liberal, ku përcaktuese nuk janë më si dikur në Shqipëri planifikimi i centralizuar, por kërkesë- oferta dhe dora e padukshme e Adam Smithit. Çdo markë e njohur lokale, kombëtare, rajonale apo ndërkombëtare, e ka pjesë jo vetëm të historise dhe të krenarisëvitet, vitet e ekzistencës në treg. Por e ka një dimension shumë të rëndësishëm besueshmërie dhe sigurie për cilësinë e produktit dhe vlerave që ajo sjell dhe i jep tregut dhe konsumatorit.
Kanë kaluar shumë vite tashmë, nga ajo periudhë kur shqiptarët hidhnin me zell çdo gjë të vjetër që e kishin trashëguar nëpër shtëpitë e tyre, për ta zëvendësuar me mallrat e reja e të munguara më parë, plot shkëlqim të rremë. Madje duke i braktisur me zell edhe vetë shtëpitë, derisa pas kaq shumë vitesh, pothuajse të gjithë po rikthehen nëpër fshatrat, krahinat dhe qytete nga ku janë larguar për një jetë më të mirë, pas revolucionit demografik që solli liria e lëvizjes, për ti rikonstruktuar, për ti mirëpmbajtur, e për ti treguar tashmë me krenari si një vlerë e shtuar e historisë së vet, familjues, fisit dhe për rrjedhojë edhe të shoqërisë shqiptare. Sepse dalëngadalë, pas dalldisë së parë e të madhe kolektive të hapjes, erdhi periudha e reflektimit dhe e qetësimit. Derisa tashmë, të gjithë po e kuptojnë, se shprehja “kush nuk ka të shkuar, nuk ka as të ardhme”, vlenë për këdo edhe në Shqipëri.