Dje u tregua qartë se prokuroria është e pa përgatitur dhe nuk ka prova që vërtetojnë dy akuzat e ngritura ndaj ish-ministrit Saimir Tahiri, atë të korrupsionit dhe trafikimit të lëndëve narkotike përmes pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal.
Po dje, u bënë të ditur dhe emrat e 3 prokurorëve kryesorë që kanë në dorë dosjen “Tahiri”.
Sipas informacioneve, në total janë angazhuar 6 prokurorë të Krimeve të Rënda, por 3 janë më kryesorët: Besim Hardarmataj; Elisabeta Ymeraj dhe Gentian Osmani.
Gazeta ka bërë një sërë kërkimesh dhe faktet janë mjaft interesante, pasi tregohet qartë se pas hetimeve fshihet klani Berisha.
E përbashkëta kryesore e 3 emrave është se të 3 janë nga Tropoja, vendlindja e ish-kryeministrit Sali Berisha.
Nëse i marrim me radhë, Besim Hajdarmataj është kryetari i Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Ai ka shërbyer për shumë vite në Tropojë dhe është prokurori që kishte në dorë dosjen e “Haklajve”, rivalët e Sali Berishës.
Ish-badigardi i Berishës, Izet Haxhia, thotë se Hajdarmataj ka mbyllur pa dënime dhjetra vrasje të ndodhura në Tropojë, që kanë pasur lidhje me Berishën.
Më pas, Hajdarmataj ka drejtuar prokurorinë e Kurbinit për katër vite dhe më vonë në Durrës, kur hetoi vrasjen e Leonard Muratit, i njohur në Durrës si rival i Lulzim Berishës.
Po ashtu hetoi dosjen e italianit Guido Andra Guidi që u rrëzua me avion dhe u dyshua se ishte me drogë.
Hajdarmataj flitet se është kushëri i dytë i ish-kryeministrit Sali Berisha.
Nga ana tjetër ai është në listën e zezë të SHBA, pasi i është bllokuar viza nga amerikanët dhe ambasada.
Edhe dy prokurorët e tjerë kanë lidhje me Berishën, por kanë edhe “njolla” të tjera në karrierën e tyre, që tregon deri diku edhe paaftësinë e tyre.
Si Imeraj, ashtu edhe Osmani, kanë qenë ndër nxënësit më të dobët në Shkollën e Magjistraturës, nuk është për t’u habitur që cilësia e akt-akuzës linte shumë për të dëshiruar.
Dokumentet e mëposhtme tregojnë se Gentian Osmani, i diplomuar në vitin 2004, u rendit në vendin e 21-të, nga 25 pjesëmarrës në provimin përfundimtar.
Nga ana e saj, Elizabeta Imeraj, gjithashtu është renditur në fundin e renditjes së vitit shkollor 2004-05, duke qenë e 19-ta nga 24 pjesëmarrës.




