Joe Biden do të jetë presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara të mërkurën, ndërsa Kamala Harris, bëhet gruaja e parë që shërben si nënpresidente, kur të dy të bëjnë betimin në mesditë (sipas kohës amerikane) në një inaugurim më modest për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Do të mungojë turmat e zakonshme prej qindra mijëra pjesëmarrësve që shtrihen nga Kapitoli e tutje përgjatë shëtitores kombëtare. Në vend të tyre, një det me 200 mijë flamuj të Shteteve të Bashkuara, përfaqësojnë ata që nuk mund të marrin pjesë.
Para marrjes së detyrës, zoti Biden dha një mesazh uniteti, posaçërisht për nevojën e bashkimit për t’u përballuar me sfidat e shkaktuara nga pandemia që u mori jetën 400 mijë vetave në Shtetet e Bashkuara dhe shkaktoi shumë vështirësi ekonomike.
“Duhet të kujtojmë. Ndonjëherë është e dhimbshme të kujtosh, por kështu rimëkëmbemi. Është e rëndësishme ta bëjmë një gjë të tillë si komb,” tha zoti Biden të martën vonë ndërsa bashkë më zonjën Harris udhëhoqi një ngjarje përkujtimore para Memorialit të Linkolnit për ata që kanë vdekur. Rreth 400 drita u ndezën rreth Pishinës Reflektuese.
Ai më vonë u zotua të “fillojë menjëherë nga puna” pasi të jetë betuar, duke thënë se “nuk kemi asnjë sekondë për të humbur kur bëhet fjalë për të trajtuar krizat me të cilat përballemi si komb”.
Zoti Biden me bashkëshorten e tij Jill dhe zonja Harris më bashkëshortin e saj, Doug Emhoff, do ta fillojnë të mërkurën duke marrë pjesë në një shërbesë kishtare në Katedralen e Shën Mateut në Uashington.
Në kohën kur fillon shërbimi, presidenti në largim, Donald Trump, do të jetë jashtë Shtëpisë së Bardhë në rrugë për në Florida. Donald Trump është udhëheqësi i parë i Shteteve të Bashkuara që nuk merr pjesë në inaugurimin e pasardhësit të tij në më shumë se 150 vjet.
Nënpresidenti në largim, Mike Pence, pritet të marrë pjesë, ashtu si edhe ish presidenti Barack Obama më gruan e tij, Michelle, ish presidenti George Ë. Bush me gruan e tij Laura, dhe ish presidenti Bill Clinton dhe ish sekretarja e Shtetit Hillary Clinton.
Joe Biden, gati të inaugurohet si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara
Pas ceremonisë së inaugurimit, zoti Biden dhe zonja Harris planifikohet të marrin pjesë në një ceremoni të vendosjes së kurorave në Varrin e Ushtarit të Panjohur në Varrezat Kombëtare në Arlington.
Zoti Biden, i cili shërbeu tetë vjet si nënpresident i zotit Obama, më pas planifikon të nënshkruajë një numër urdhrash ekzekutiv dhe të kryejë veprime të tjera presidenciale, ndërsa sekretari i tij i shtypit, Jen Psaki, planifikon të mbajë një konferencë me gazetarë.
Zoti Biden dhe zonja Harris pritet të flasin në mbrëmje në një shfaqje të posaçme televizive.


