Së paku 2,800 njerëz ikën nga luftimet pranë kryeqytetit të Libisë, Tripoli, bënë të ditur Kombet e Bashkuara. Sipas tyre, shumë civilë të tjerë mbeten të bllokuar dhe pa shërbimet e domosdoshme për jetën.
Forcat e Ushtrisë Kombëtare të Libisë, grup që udhëhiqet nga gjenerali Khalifa Haftar, nisën një ofensivë të enjten e kaluar, me qëllim marrjen e kontrollit të Tripolit nga Qeveria e kryeministrit Fayez al-Serraj, e cila mbështetet nga OKB-ja.
Al-Serraj e akuzoi gjeneralin Haftar për përpjekje për grushtshtet dhe tha se ushtarët e tij rebelë do të përballen me forcën, shkruan rel. Ministria e Shëndetit Publik e Libisë tha të hënën se së paku 25 njerëz janë vrarë dhe 80 janë plagosur – përfshirë edhe civilë, edhe ushtarë.
Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë bërë thirrje për ndalimin e dhunës. “Fushata e njëanshme ushtarake në Tripoli rrezikon civilët dhe minon perspektivat për një të ardhme më të mirë për të gjithë libianët”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.


