Janë shndërruar në një ritual të përvitshëm përmbytjet në vendin tonë, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale, sa herë që ka shira të rrëmbyeshëm. Ish-ministri i Bujqësisë, Hasan Halili, shpjegoi edhe disa nga arsyet se përse ndodhemi në këto situatë të vështirë, kur ato mund të jenë shumë mirë të menaxhueshme.
“E para, situata të tilla nuk mund te parashikohen sepse intensiteti I shirave është i tillë dhe nuk përballohet nga hidrovoret për transferimin e ujit nga toka në det. Për shembull, hidrovori i Hoxharës kapacitetin për transportin e ujit nga toka në det e ka 50 mm në sekondë. Kaq ishte mundësia kur ai u ndërtua. Në vitin 1981 ka qenë rasti i fundit, kur ka rënë 300 mm shi, pra një sasi shumë e madhe”, – tha ish-ministri. Sipas tij, një nga problemet është edhe regjimi i rezervuarëve të ujitjes dhe për prodhim energjie, të cilët nuk kontrollohen që të mbahet një ritëm i caktuar, për të mos shkakton dëme.
“Rasti i rezervuarëve të Kasharit dhe të Vorës kanë të bëjë me faktin, se ai i Kasharit ka qenë i detyruar të shkarkohet pasi rrezikohej të përmbytej komplet territori”, – theksoi ish-deputeti i Partisë Demokratike. Ish-ministri preku edhe temën e investimeve me fondet e Bankës Botërore.
“Ne duam të kemi një ristrukturim të plotë të situatës. Kolektorët kërkojnë pastrim një herë në dy vjet, ndërsa ne i pastrojmë një herë në dhjetë vjet”. Ai shtoi, se po të mbahet regjimi hidrik i lumit Drin nuk ndodhin përmbytjet e Shkodrës dhe e Lezhës.
“Ne nuk e mbajmë nën kontroll regjimin hidrik të baseneve të mëdha të lumenj. Dëmi më i madh që ne u bëjmë atyre është përdorimi baseneve të lumenjve. Për mendimin tim, është dëmi më i madh që i është bërë vendit”. Për specialistin Enriko Ceko, arsyet e përmbytjes nuk lidhen vetëm me natyrën, por edhe me njerëzit.
“Arsyeja kryesore pse përmbytemi është se, ata që merren me ujërat dhe kullimit kanë pesë karakteristika: janë të korruptuar, të paaftë, të paedukuar, të pa trajnuar dhe janë injorantë”, – tha Ceko. Sipas tij, Shqipërisë i duhen rreth 40 milionë dollarë në vit vetëm për të mirëmbajtur sistemin e kanalizimeve apo digave, përveç veprave të reja.
“Ka 30 vjet që nuk bëhen vepra të reja. Askush s’ka bërë. Asnjë digë e re, asnjë kanal i ri kullues. Edhe rrugët e reja që janë bërë nuk janë bërë për studimin e ujërave. Këtu ndërtohet rruga vetëm për asfalt por jo për terrenin në të dy krahët”. Në lidhje me përmbytjen e autostradës Tiranë-Durrës, në aksin që të çon drejt Rinasit, Ceko tha se ka ndikuar vendosja e palmeve përgjatë rrugës.
“Palmat kanë ndikuar në përmbytjen e autostradës. Investimi te “Benz”, me pronar të njohur Kastrati, atje s’është bërë asnjë investim për drenazhimin për largimin e ujërave. Aty është një gropë që mbledh ujë dhe nuk ka lidhje direkt me lumin e Tiranës”, – tha specialisti Enriko Ceko./ tpz.al


