Banorët e Vaut të Dejës janë ngritur në protestë për përmbytjet. Ata shprehen se janë të rrezikuar dhe kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve.
Sipas tyre, me dimrin që po afrohet rrezikojnë që banesat dhe bizneset të përmbyten.
Ndërkohë theksuan se përmbytja e dy javëve më parë ka shkaktuar dëme kolosale. Ata shprehen se uji ka hyrë në banesa dhe ka shkatërruar çdo gjë.
“Problematika kryesore është sistemimi i kanalizimit të ujërave të zeza, qoftë edhe ujit të pijshëm, që të shmangen përmbytjet. Gjithë zona e lagjes “Kinoklub” është e rrezikuar, janë 180-200 familje. Në kanalizim nuk është ndërhyrë që nga koha e ndërtimit të HEC të Vaut të Dejës. Duke pasur dimrin që po afrohet, banorët rrezikohen”, tha një banor.
“Dëmet janë kolosale. Uji ka hyrë në shtëpia, ka shkatërruar çdo gjë. Dy javë mbas përmbytjes s’ka asnjë reagim. Jemi të rrezikuar në momentin e parë që bie shi. Nuk është marrë asnjë masë, institucionet të reagojnë. Familjet mund të zhduken së bashku me banesat”, tha një tjetër.


