Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, deklaroi se ka bërë kërkesë që kryeministri Edi Rama të shpallë në “gjendje të fatkeqësisë natyrore” 3 qarqet e prekura nga përmbytjet, Shkodrën, Lezhën dhe Durrësin.
Në një konferencë për mediet Alibeaj tha se tre përfaqësuesit e PD të qarqeve të prekura nga përmbytjet, i kanë iniciuar kryeministrit kërkesë për shpalljen e gjendjes të fatkeqësisë natyrore në 3 qarqet.
Alibeaj tha se shpallja gjendjes së jashtëzakonshme për 30 ditë ne këto 3 qarqe është e domosdoshme, ne mënyre që qytetarët e prekur te kompensohen nga qeveria.
Deklarata e Alibeajt
Situata e reshjeve të ditëve të fundit ka shkaktuar problematika të rënda në zona të ndryshme të qarqeve Shkodër, Lezhë dhe Durrës. Si pasojë e përmbytjeve janë dëmtuar arat me të mbjella, bagëtitë, shtëpitë e qytetarëve, pasuri të trashëgimisë kulturore, si rasti i Urës së Bahcallëkut në Shkodër. Por, ajo që e bën më të rëndë situatën është dëmtimi i shëndetit dhe jetës së qytetarëve, sic ishte rasti i tragjik i humbjes së jetës së dy qytetarëve, babë e bir, në Malësinë e Madhe. Nisur nga ky bilanc tragjik për shëndetin, jetën, pronat dhe pasuritë e qytetarëve të këtyre zonave, ne vlerësojmë se përmbushen kriteret kushtetuese dhe ligjore për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore.
Konkretisht, neni 174 i Kushtetutës përcakton se “Për parandalimin ose mënjanimin e pasojave të një fatkeqësie natyrore ose aksidenti teknologjik, Këshilli i Ministrave mund të vendosë, për një periudhë jo më të gjatë se 30 ditë, gjendjen e fatkeqësisë natyrore, në një pjesë ose në të gjithë territorin e shtetit.”. Kushtetuta nuk përmban ndonjë përkufizim për situatën e fatkeqësisë natyrore, por ai jepet në nenin 3, pika 9 të ligjit nr. 45/2019 “Për mbrojtjen civile”. Kjo dispozitë përcakton se fatkeqësitë natyrore janë fatkeqësitë që shkaktohen nga dukuri natyrore ekstreme, që lidhen me tërmetet, përmbytjet dhe vërshimet e ujit, temperaturat ekstreme dhe të tejzgjatura, rrëshqitjet artitektonike, ortekët, erërat e forta në tokë dhe det etj.
Duke u kthyer në rastin konkret, rezulton se kemi të bëjmë me një situatë të shkaktuar nga përmbytjet dhe vërshimet e ujit, të cilat hyjnë në fushëveprimin e konceptit të fatkeqësisë natyrore, sipas përkufizimit të nenit 3, pika 9 të ligjit nr. 45/2019 “Për mbrojtjen civile”. Në këtë kuptim, Këshilli i Ministrave, në përputhje me detyrimet e saj që rrjedhin nga neni 174 i Kushtetutës dhe nenet 18, 39 të ligjit nr. 45/2019, duhet të vendosë shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore. Për shkak se përmbytjet dhe vërshimet e ujit janë të përhapura në bashki të ndryshme të qarqeve Shkodër, Lezhë dhe Durrës, Këshilli i Ministrave, në përputhje me nenin 40, duhet të shpallë gjendjen e emergjencës rajonale, si dhe të përcaktojë masat e nevojshme për institucionet, strukturat, subjektet private dhe qytetarët, në përputhje me nenin 42 të ligjit nr. 45/2019.
Prandaj, duke pasur parasysh sa më sipër, me qëllim përballimin në mënyrë sa më efikase të situatës së krijuar nga përmbytjet dhe vërshimet e ujit, në funksion të mbrojtjes së shëndetit, jetës, pronave dhe pasurive të qytetarëve, në mbështetje të nenit 174 të Kushtetutës, nenit 39 të ligjit nr. 45/2019 “Për mbrojtjen civile, dhe nenit 10 të ligjit nr. 8550, datë 18.11.1999 “Statusi i Deputetit”, në cilësinë e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësues të zonave të përmbytura, kërkojmë shpalljen e fatkeqësisë natyrore në qarqet Shkodër, Lezhë dhe Durrës, si dhe marrjen e masave të nevojshme.


