Si pasojë e reshjeve të rëna janë ndodhur nën ujë një sipërfaqe e konsiderueshme e tokës bujqësore dhe janë izoluar nga uji shumë banesa ku më i prekuri ka qenë fshati Obot, si dhe janë marrë masat për sigurimin e ushqimit për bagëtitë të këtyre zonave.
Ministria e Mbrojtjes pohon se situata në Shkodër nga përmbytjet po shkon drejt normalizimit ndonëse ka ende prezencë të madhe uji dhe priten reshje të dendura.
Në Shkodër niveli i ujit ka rënë në krahasim me ditën e djeshme. Aktualisht niveli i ujit në rrugë është rreth 70 cm. Ka nisur transportimi i banorëve të Obotit me mjete të kalueshmërisë së lartë, kryesisht nxënës shkolle dhe banorë nga fshati Obot për në Oblikë.
Gjatë 24 orëve të ardhshme priten sërish reshje të dendura. Forcat e Armatosura kanë marrë masa me efektivë dhe mjete për të qenë në gatishmëri për çdo situatë të mundshme gjatë ditëve në vijim.
Janë siguruar dhe shpërndarë ndihmat si më poshtë:
Në Njësinë Administrative Ana e Malit janë shpërndarë 7 tonë koncentrat si dhe 11 ton bar i thatë.
Në Njësinë Administrative Dajç janë shpërndarë janë shpërndarë 11 ton koncentrat për bagëti.
Ndodhen të magazinuara 2 ton koncentrat për bagëti i cili do të shpërndahet sipas një grafiku të caktuar.
Kjo sasi ushqimore për bagëti është siguruar nëpërmjet ndërmjetësimit të Institucionit të Prefektit të Qarkut Shkodër me Ministrinë e Mbrojtjes (DPEC) Ministrinë e Bujqësisë dhe Donacioni i Dhomës së Tregtisë dhe AIBA.