Stuhi dhe reshje shiu të rrëmbyeshëm shkaktuan përmbytje masive në disa zona të Sllovenisë. Deri më tani raportohet për 3 viktima si pasojë e motit të keq që ‘pushtoi’ vendin, duke shkaktuar evakuime dhe mbyllje të rrugëve kryesore dhe linjave hekurudhore.
Situata alarmante me përmbytjet në kryeqytetin e Sllovenisë, Lubjanë, në Mariborin dhe në Celjen, ka detyruar banorët të izolohen në shtëpi, pasi rrugët janë mbuluar nga uji.
Si pasojë e këtyre reshjeve, fatkeqësisht kanë humbur jetë tre persona deri më tani, viktima e parë ishte një grua e moshuar në qytetin e Kamnikut, e cila tentoi të largohej nga shtëpia pasi uji u fut brenda.
Qarkullimi i mjeteve është bllokuar në disa zona për shkak të prezencës së ujit, ndërkohë që ka pasur probleme dhe me furnizimin me energji elektrike.Rreth 16,000 familje pësuan ndërprerje të energjisë elektrike.
“Situata është serioze,” tha ministri i Mbrojtjes Marjan Sarec për mediat lokale, duke shtuar se ushtria ishte bashkuar me ekipet e shpëtimit dhe zjarrit për të ndihmuar banorët në zonat më të prekura.
Sipas raporteve, qarku Gorenjska po përballet me reshjet më të dendura të regjistruara deri më tani.
“Në fakt, i gjithë qarku Gorenjska është nën ujë,” njoftojnë mediat.
Ndërsa një urë u mbyll pranë qytetit të Dravogradit pasi ujërat u ngritën në lumin Drava dhe përmbytjet e bënë shumë të vështirë arritjen në qytetin e Crna na Koroskem dhe fshatin Prevalje.
Në qytetin Crnoj na Korosko, qendra e qytetit u përmbyt dhe zjarrfikësit nuk arritën dot në shtëpitë e njerëzve.


