Përkëqesimi i motit ka bërë që policia e Shtetit të marrë masat e para.
Që prej ditës së djeshme policia ka kaluar në gatishmëri të plotë dhe të përforcuar.
Në të gjitha qarqet shërbimet e Policisë janë angazhuar në ndihmë të banorëve ku është kërkuar ndihmë. Në Fier, Vlorë e Shkodër janë dërguar grupe të FNSH-së dhe të Delta Forcë.
Në Ferras e Novoselë ndodhen 2 njësi të FNSH- së Fier dhe 2 njësi të Deltës me makina me kalueshmeri të lartë dhe varka e gomone. Në fshatin Theth Shkodër është kërkuar ndihmë për ta trasportuar drejt spitalit Shkodër një shtetase të huaj e cila ka shfaqur probleme shëndetësore.
Janë dërguar shërbimet e Policisë me mjet policie të larte dhe mjekun e zonës. Shërbimet e Policisë në Gjirokastër gjatë mbremjes janë angazhuar në evakuimin e banorëve të një pallati ku ka pasur shkarje dheu dhe rrezikohej pallati.
Në të gjitha akset rrugore Policia Rrugore ka shtuar prezencën për të orientuar e ndihmuar drejtuesit e mjeteve për shkak të prezencës së ujit në rrugë apo të dëborës në zonat e thella. Patrullat e Përgjithshme në të gjithë territorin janë në patrullim të pandërprere duke ju ardhur në ndihmë disa banorëve në qytete të ndryshme e fshatra që kanë kërkuar ndihmën e Policisë.
Sakaq, në sallat Operative të Policisë është përforcuar shërbimi duke iu përgjigjur në kohë reale çdo telefonate të ardhur nga banorët në zona të ndryshme. Policia e Shtetit është në gadishmëri të plotë duke bashkëpunuar e koordinuar veprimet me Emergjencat Civile dhe për çdo nevojë dhe ndihmë nga forcat e policisë te kontaktojnë në numrat e telefonit pa pagesë 112 e 129.
Gjithashtu Policia e Shtetit njofton në rast neglizhence nga punonjësit e policisë qytetarët të telefonojnë në numrin pa pagesë 0800 90 90 duke ju garantuar reagim të shpejtë.



