Ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri me kërkesë të prokurorisë gjykata i ndaloi mundësinë e udhëtimit jashtë vendit. Kjo për shkak se sipas drejtësisë shqiptare, Tahiri mund të largohet dhe të dëmtojë hetimet.
Megjithë dyshimet nga mënyra se si po bëhen dhe si po serviren këto hetime, në marrëveshje fjale po biem dakort. Dikush mund të thotë se nuk duhet të diskutohen vendimet e drejtësisë, pavarësisht se si është dhe i përceptojmë ne. Ok. Dhe unë e mbylla këtë pjesë.
Por më lind e drejta të them se qytetarët shqiptarë duhet të jenë të barabartë para ligjit. Dhe drejtësia duhet të veprojë me të njejtin kut ligjor për të gjithë politikanët dhe në përgjithësi për të gjithë qytetarët. Në rastin konkret akuza është ngritur mbi bazën e përgjimeve.
Marrim si shembull krahasues me rastin “Tahiri” përgjimin e organeve ligjzbatuese amerikane për bisedën e trafikantit të armëve dhe municioneve shqiptare drejt Lindjes dhe zonave të konfliktit të armatosur Efraim Diverolit dhe ish dëshmitarit kyç të Gërdecit, Kosta Trebicka, i cili u gjet i vdekur pas një “gjuetie” në Korçë.
Në këtë përgjim dalin qartë, pa asnjë lloj deduksioni përkthyesi, roli i Sali Berishës dhe i djalit të tij Shkelzen Berisha në trafikun e municioneve. Madje quhen dhe mafie që nuk përballohet. Një përkthim mot-à-mot, siç e kanë zakon amerikanët për të qënë të rregullt dhe që nuk lejojnë komente përkthyesi jo vetëm nga të tyrët por dhe kur bëhet përkthimi nga vendi i tretë i interesuar, në rastin konkret Shqipëria.
Nuk është rastësi që dhe ambasadorët që vijnë këtu mësojnë shqip. Ndonëse kanë kaluar nëntë vjet pas shpërthimit të punishtes së vdekjes, roli i familjarëve të Berishës në biznesin e Gërdecit, sa vjen e bëhet më i qartë.
Emri i Sali Berishës dhe i Shkëlzenit përmendej shpesh në bisedat telefonike midis dëshmitarit kyç të Gërdecit, Kosta Trebickës dhe Efraim Diverolit, trafikantit të armëve nga Florida.
Nga zbardhja e tabulateve telefonike, Efraim Diveroli deklaron se Berisha dhe Shkëlzeni janë koka e mafies që kontrollonin Gërdecin.
“Më shumë, më shumë, kjo gjë ka shkuar shumë lart, deri te Kryeministri dhe djali i tij. Kjo është. Kjo mafie është shumë e fortë për mua. Nuk mund ta luftoj këtë mafia. Është bërë shumë e madhe. Kafshët kanë dalë shumë jashtë kontrollit. Shumë lojtarë…”, thotë Diveroli në bisedë me Trebickën në bisedën e përgjuar nga amerikanët para shpërthimit të Gërdecit në mars 2008.
Përmendet qartë kryeministri i asaj kohe Sali Berisha. Dhe bëhet fjalë për një ngjarje që shkaktoi 26 të vdekur për punë sekondash dhe mbi 300 të plagosur. Pa llogaritur dëmet. Prokuroria shqiptare as që e mori mundimin për ta pyetur Berishën si kryeministër i vendit për kontratat etj etj. Jo më ta merrte nën hetim.
Pas shpërthimit, Efraim Diveroli ka pranuar që ka transportuar ilegalisht plumba kineze për forcat afgane, të cilët i ripaketonte dhe i shiste, sikur të ishin prodhuar në Shqipëri. Diveroli, trafikant armësh nga Florida, mori dënimin e tij, pasi pranoi mashtrimin ndaj Pentagonit për një kontratë armësh rreth 300 milion dollarë.
Ai rezultoi fajtor për komplot mashtrimi në gusht 2009. Prokurorët thanë që Deviroli pranoi që ilegalisht ka transportuar rreth 90 milionë plumba kineze për forcat afgane, që janë aleate të forcave amerikane. Kontrata me Pentagonin nuk lejonte marrjen e mjeteve ushtarake kineze.
Ndërkohë, municionet ishin ripaketuar që të dukeshin sikur Shqipëria ishte vendburimi i tyre. Për të fshehur origjinën, Diveroli i ripaketonte dhe i shiste ato, sikur të ishin prodhuar në Shqipëri. Ky lloj biznesi kryhej në fabrikën e Gërdecit ku ndodhi dhe shpërthimi tragjik më 15 mars të 2008-ës, që i mori jetën 26 personave dhe plagosi mbi 300 të tjerë.
Kompania AEY në vitin 2007, fitoi një kontratë 298 milionë dollarëshe nga Pentagoni për të furnizuar me armatime trupat amerikane në Afganistan. Kjo nuk ishte kontrata e parë e lidhur me Pentagonin, pasi të njëjta marrëveshje ishin firmosur që në fillim të luftërave në Irak dhe Afganistan.
Pra Diveroli, bashkëpuntori i djalit të Berishës u dënua në SHBA, ndërsa këtu nuk dënohen kokat e mafias. Ku ai kishte përmendur Berishën. Prokuroria shqiptare as që e pyeti Berishën. Ndoshta dhe nuk është vonë por këtë punë do ta bëjë drejtësia e re. Ndërkohë që Saimir Tahiri është vënë nën presion, paçka se përmendja e emrit të tij si kamionist, dhe i deduktuar nga përkthyesi është një skandal më vete, i merret pasaporta.
Ndaj themi se drejtësia në Shqipëri vepron me dy standarde. Por për të rikthyer në kujtesën e njerëzve por e botojmë dhe njëherë përgjimin mes Diverolit trafikantit amerikan të armëve të dënuar në SHBA dhe Kosta Trebickës, biznesmenit të paketitmit që u vra në Korçë pas një “gjuetie”.
Bisedat e përgjuara mes Trebickës dhe Diverolit:
Trebicka: Çfarë po ndodh me mikun tënd Pinari?
Diveroli: Nuk e di, ti më trego, a e bëre marrëveshjen me të për kutitë?
Trebicka: Nuk dua të bëj marrëveshje me të, ti e di se ai është një horr, ti vetë më pate thënë se ai është një mafioz, apo jo?
Diveroli: Mendoj se po, ose ai është mafia ose mafia po e kontrollon atë. Ai është një problem më vete, por problemi kryesor është se unë nuk kam asnjë zgjedhje për të bërë. Më duhet të bëj një marrëveshje me të. Qeveria amerikane është në pritje të produkteve. Nuk mund të marr asnjë vendim.
Diveroli: Çfarë po ndodh me këtë gjënë e rrezikshme këtu..
(bisedë e padeshifrueshme për —–Pinarin…) OK, Kosta, kompania që po bën paketimin mund të kërkojë të blejë materialin tënd paketues. Më duhet të prish marrëveshjen.
Trebicka: Cila kompani është kjo, është akoma Delijorgji?
Diverolli: As nuk e kam idenë fare, po presim që Pinari të na japë detaje në lidhje me këtë kompani. Do të bëj maksimumin që kjo shitje të realizohet…
Diveroli: …(Disa biseda për shërbimet, që ai është i supozuar të bëjë për Diverolin). Jam treguar 100% i ndershëm me ty. Nuk ta hoqa unë këtë punë. E kupton këtë? S’kam lidhje fare me këtë çështje. Edhe pse Pinari më ka pyetur, madje më ka bërë presion, unë s’e kam mbështetur asnjëherë një vendim të tillë. Jam shumë i mërzitur dhe shumë i shqetësuar.
Trebicka: Është duke punuar ende me Henry Tomein?
Diveroli: Mendoj se është ende duke punuar Henri. Unë jam ende duke punuar me Henrin. Më duhet të punoj me Henrin. Unë po punoj me Henrin.
Diveroli: Unë jam ndryshe nga Henri, nuk mund të bëj shaka me mafien e Delijorgjin dhe me ato dreq njerëzish nga Shqipëria… Unë jam një kompani amerikane, punoj për qeverinë, të gjithë i kanë sytë nga unë. Pinari ka nevojë për një tip si Henri në këtë mes, që të kujdeset për të dhe për shokët e tij, gjë që nuk më intereson aspak. Unë nuk dua t’ia di rreth këtij biznesi, unë dua t’ia di për biznesin e ligjshëm. Kjo është ajo që unë ndjej për këtë situatë, kjo është ideja ime, ky është opinioni im.
Trebicka: … por unë mendoj se me Pinarin, shokët e tij mafiozë, Delijorgjin dhe Henrin, do të jetë e vështirë për ty që të vazhdosh përpara, pasi ata do të të krijojnë shumë probleme… Sipas gjasave unë do të ftohem në Uashington DC nga zyrtarë të CIA-s dhe nga disa miq të mi atje… Pas dy javësh do të vij në Florida që të shtrëngoj duart me ty dhe të diskutoj për marrëveshjet e të ardhmes.
Diveroli: Më pëlqen kjo, le ta bëjmë.
Diveroli: Aktualisht, kam një marrëveshje mjaft të mirë në Serbi dhe kam nevojë për financim…. Kosta, Kosta, mbase kam një ide … që ti mund të mbarosh së paketuari, për shembull, dy milionë e gjysmat që më ke borxh… Pinari dhe Delijorgji do të vënë re se tashmë operacioni yt është duke ecur mirë dhe mendoj se ata nuk do të duan ta prishin marrëveshjen, kështu që do ta blejnë materialin nga ty. Ata nuk kanë pse të sillen vërdallë dhe të shkojnë deri në Maqedoni për të gjetur material. Mendoj, mbase kjo është një ide e mirë. A mendon se Pinari do ta bëjë këtë punë?
Trebicka: Kam gjetur partnerë të mirë dhe mendoj se mund ta vazhdoj punën. Unë nuk di gjë për Pinarin, Delijorgjin dhe mafien e tij. Nëse ata duan ende të punojnë me mua, unë nuk do të flas. Do ta mbaj gojën të mbyllur. Do të bëj çfarëdo që të më thuash.
Diveroli: E kuptoj… Vetëm se po të them, unë të mbroj ty dhe ti më mbron mua nga këto gjëra. Më lër të flas me Pinarin, ai e di se duhet ta bëjë ai paketimin. Sepse ai është duke të hequr nga pozicioni yt. Nëse ai nuk e bën dot këtë detyrë siç duhet, ai do të jetë në telashe të mëdha, nga të gjithë. Kështu që mbase ai do të nervozohet duke qenë se Delijorgji nuk e bën dot këtë punë, gjithsesi. Kjo është çështja më e mirë, kjo është ëndrra ime.
Diveroli: Kështu që na duhet ta realizojmë shitjen e këtij materiali. Pastaj, të paktën unë nuk jam i ekspozuar dhe ti nuk je i ekspozuar, apo jo? Këtë herë është opsioni A, apo opsioni B. Duhet të hyjmë vetëm në njërën derë, nuk jemi të sigurt se cila është. Pse nuk shkon t’ia puthësh bythën edhe një herë atij Pinarit, tani. Telefonoje, lutju, puthe, bëj ç’të duash. Dërgo njërën nga vajzat e tua. Ta bëjmë atë të lumtur. Ndoshta ai do të të japë një tjetër mundësi që ta bësh këtë punë. Si thua? Mbase ai nuk është i organizuar, mbase do të nervozohet – (duke folur si të ishte Pinari). Ti e di, nëse nuk e marr këtë punë, pastaj do ta humbas biznesin e municioneve. Mbase ne mund të luajmë me atë që ai ka frikë. Hajde Pinari, më jep edhe një shans tjetër. Jepini atij para, futini diçka në xhep… Dhe ai nuk do të marrë shumë. Nëse merr $ 20.000 nga ty.
Diveroli: Unë mund ta bëj një gjë të tillë. Më thuaj nesër se çfarë do të bëhet…. Ta ndajmë, do të bëjmë planin A apo B? Unë do të flas me Pinarin, ti do të flasësh me Pinarin dhe ne do të marrim një vendim. Pastaj do të kalojmë te marrëveshja tjetër.
Diveroli: Më shumë, më shumë, kjo gjë ka shkuar shumë lart, deri te Kryeministri dhe djali i tij. Kjo është. Kjo mafia është shumë e fortë për mua. Nuk mund ta luftoj këtë mafia. Është bërë shumë e madhe. Kafshët kanë dalë shumë jashtë kontrollit. Shumë lojtarë…!. / tema


