Mes 34 të arrestuarve pjesë e dosjes së grupit të Shijakut janë edhe tre efektivë policie. “Panorama” zbardh rolet e tyre në grupin e famshëm të trafikut të drogës.
Sipas dosjes, rezulton se më datën 15 prill, ora 08:05, Gjyriqi është telefonuar një numër me prefiks të Kosovës. Pas përshëndetjes, personi nga Kosova, i thotë Gjyriqit se nuk mundet të hyjë në Shqipëri, pasi i ka humbur një targë e makinës.
“Jam këtej se më ka hup një targë e makinës dhe nuk më lënë të hy. Kam ngel aty ku ishim atë ditë”, i thotë ai. Ndërsa në një komunikim tjetër, Arditi pyet dikë, për hyrjen e një personi kosovar, që bëhet fjalë për shtetasin Besim Mahmuti.
Efektivi i dytë, Bledar Koçi ka qenë me detyrë punonjës i Policisë në Fier, në sektorin kundër narkotikëve. Ai ka ndihmuar anëtarët e grupit kriminal, duke shfrytëzuar të dhënat dhe pozicionin e punës së tij.
Nga përgjimet, ka rezultuar se ai e ka ndihmuar Hajri Seferin, me disa gjoba që ka pasur për të paguar.
“O Hajri, jam ai i Fierit, se po të marr me një telefon tjetër, nuk është telefoni im. Ti kishe edhe 3 gjoba të tjera, për dy vitet e fundit ti ke katër gjoba dhe nuk paguan 60 mijë, minimalen paguan 120 nga 150 që ishte ajo”, i thotë polici, ndërsa më pas lënë një ditë takimi për të diskutuar për çështjen.
I treti efektiv i arrestuar është Jasin Avdul i Policisë së Sarandës. Sipas dosjes hetimore, ai ka lidhje me Klement Domerin, të cilin e njofton se po e ndiqte Policia kur ai po përpiqej të trafikonte një sasi narkotikësh në Greqi.
Bëhet fjalë për një bisedë të datës 15 shtator 2018 ku Jasin Avdul i thotë Klement Domerin: “Fshehe atë m… atje thuaj atij se më tha ai do të vijnë me makinë ata te gropa”.


