40 punëtorë sezonalë janë kthyer mbrapsht nga autoritetet shëndetësore greke në Kakavijë, pasi njeri prej tyre rezultoi pozitiv me koronavirus.
Një nga qytetarët, punëtor sezonal në Greqi, që ndodhej në autobus ka rezultuar pozitiv gjata testit të shpejtë që autoritet greke i kanë bërë në kufi sipas rregullave të reja të vendosura nga qeveria greke. Kjo ka bërë që i gjithë personat që udhëtonin me të në autobus të ktheheshin pas dhe të mos lejoheshin të kalonin kufirin drejt Greqisë.
Qytetari me iniciale G.M., 56 vjeç nga Fieri, rezultoi pozitiv ndonëse kishte në dorë analizën e negativitetit të bërë në një prej laboratorëve të specializuar në kryeqytet.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, ndërsa prej dy ditësh Greqia ka vendosur masa të reja kufizuese në kufi ku ka mbyllur atë të Kapshticën dhe ka lënë të lirë për kalim vetëm Kakavijën për të gjithë ata shtetas që kanë leje qëndrimi në Greqi. Madje përveç testit negativ që qytetarët duhet të kenë me vetë, pala greke u bën edhe një test të shpejtë në kufi, test që zbuloi edhe rastin e 56-vjeçarit dhe detyroi autobusin me 40 persona të kthehej pas dhe të mos kalonte drejt tokës greke.


