Ndonëse na ndajnë muaj nga sezoni i radhës së provimit të shtetit për profesionistët e shëndetësisë, Urdhri i Infermierit ka filluar që tani përgatitjet.
Ai njofton nisjen e regjistrimeve për kandidatët, që dëshirojnë të jenë pjesë e testimit për licencim në sezonin e XV. Për këtë ka vënë në dispozicion tri ditë afat, 17, 18 dhe 19 shtator për aplikantët që duhet të dorëzojnë dokumentet pranë UISH.
Infermiere gjate nje trajnimi
Infermiere gjate nje trajnimi
Këto data vlejnë vetëm për mbetësit në sezonin e muajit korrik, si dhe të tjerë nga sezonet e kaluara që nuk siguruan dot pikët minimale në provimin e shtetit e që do të duhet ta përsërisin. Kjo kategori do të duhet të paraqesë pranë zyrave të Urdhrit: fotokopjen e kartës së identitetit, fotokopjen e diplomës dhe listës së notave si dhe një kërkesë TIP, në të cilën përcaktohet edhe e sata herë që bëhen pjesë e një testi të tillë.
Në radhët e bluzave të bardha, infermierët gjithnjë kanë qenë kontingjenti më i madh i pjesëmarrësve, e po ashtu edhe i mbetësve. PROVIMI Që në krye të herës, testimi zhvillohet online e rezultati shpallet në vend. Struktura e testit është e njëjtë.
Ai përmban në total 50 pyetje me alternativa në lidhje me profesionet, që ata kanë përfunduar studimet. Provimin e shtetit e japin studentët që kanë përfunduar me sukses arsimin në degët përkatëse, si dhe praktikën profesionale që zgjat 3 muaj. Vlerësimi i aftësive profesionale është domosdoshmëri për të gjithë kandidatët për infermierë. Nëse e kalojnë këtë fazë me sukses, ata marrin licencën nga Urdhri i Infermierit, çka u jep atyre të drejtën e ushtrimit të profesionit.


